Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri portugez

  • E.K /
  • 19 October 2022 - 15:15
Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri portugez

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i Portugalisë, Jorge Ayres Roza De Oliveira.

Në njoftim, Presidenca ka njoftuar se Osmani i ka uruar mirëseardhje ambasadorit të ri portugez dhe ka “theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shtetve janë shumë të mirë”.

“Pasi që i ka uruar mirëseardhje ambasadorit të ri portugez, Presidentja Osmani ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë shumë të mira dhe shfaqi besimin se zhvillimet pozitive të raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës e Portugalisë do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit të ambasadorit De Oliveira”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Gjatë takimit, ata kanë diskutuar edhe për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Me ambasadorin De Oliveira, Presidentja Osmani ka diskutuar edhe sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Presidentja Osmani ka falënderuar Portugalinë për mbështetjen e tyre të parezervë në këto dy procese si dhe ka përsëritur qëndrimin se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se duhet të merret për bazë rekomandimi i Komisionit Evropian për t`i hequr vizat.”

Ata diskutuan edhe për “thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy shteteve në fusha specifike, sikurse ajo e politikës së jashtme, mbrojtjes, arsimit, turizmit dhe sfera të tjera të interesit të përbashkët”.

(Kosova Sot Online)