Tragjike: Humb jetën një fëmijë 1-vjeçar në Viti, dyshohet se axha i tij e goditi me traktor

  • E.K /
  • 20 October 2022 - 15:28
Tragjike: Humb jetën një fëmijë 1-vjeçar në Viti, dyshohet se axha i tij e goditi me traktor

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Gjylekar i komunës së Vitisë, ku një fëmijë 1-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht si pasojë e goditjes me traktor.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës së Spitalit të Gjilanit kanë bërë me dije se fëmija është dërguar atje në gjendje të rëndë dhe për shkak të natyrës së lëndimeve, është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Pavarësisht intervenimit të stafit mjekësor, fëmija nuk ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë në spital.

Burimet e Gazetës brenda Prokurorisë bëjnë me dije se lidhur me rastin është intervistuar një person i dyshuar, i cili është axha i viktimës.

Mësohet se e gjithë ngjarja ka ndodhur në oborrin e shtëpisë ku jetonin viktima dhe i dyshuari, ku ky i fundit duke bërë manipulime me traktor ka goditur fëmijën duke i shkaktuar atij lëndime vdekjeprurëse.

I dyshuari me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

(Kosova Sot Online)