Mbi 63,000 njerëz vdesin çdo vit në mbarë botën nga kafshimi i gjarprit

  • E.K /
  • 26 October 2022 - 10:25
Mbi 63,000 njerëz vdesin çdo vit në mbarë botën nga kafshimi i gjarprit

Gjarpërinjtë helmues vrasin rreth 63,400 njerëz çdo vit, shumica në Azinë Jugore dhe veçanërisht në Indi.

 Megjithatë, vdekshmëria globale nga kafshimi i gjarprit ka rënë me rreth 36% që nga viti 1990, sipas një studimi të ri shkencor ndërkombëtar.

Studiuesit e Universitetit Australian James Cook, të udhëhequr nga profesori Richard Franklin, i cili bëri publikimin përkatës në revistën shkencore "Nature Communications" shprehen se nuk shpresojnë se qëllimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që të përgjysmojë numrin e vdekjeve nga gjarpërinjtë deri në vitin 2030, të arrihet.

Kjo kryesisht i atribuohet edukimit të pamjaftueshëm të popullsisë dhe mungesës së barnave të përshtatshme në vendet në zhvillim, veçanërisht në zonat e tyre rurale. 

Në fakt, për shkak të rritjes së popullsisë në botë, pritet që në shifra e vdekjeve vjetore nga pickimi i gjarpërinjëve të rriten në mbarë botën në mbi 68,000 deri në vitin 2050.

Vdekjet më të mëdha vjetore janë regjistruar në Indi (51,100 në 2019 ose rreth 80% e totalit), Pakistan (2,070), Nigeri (1,460) dhe Republikën e Kongos (545). 

Në përgjithësi, rajoni më i gjerë i Azisë Jugore, nga Afganistani në Sri Lanka, është më i rrezikshmi, i ndjekur nga Afrika Sub-Sahariane dhe Qendrore. 

Studiuesit theksuan se mundësia e vdekjes rritet nëse ilaçet kundër helmit nuk administrohen brenda gjashtë orëve të para të kafshimit.

 Por në Azinë Jugore dhe Afrikën e Veriut, shumë viktima të gjarpërinjve kërkojnë ndihmë tek mjekët tradicionalë , ndërkohë që shpesh spitalet nuk kanë trajtimin e nevojshëm.

(Kosova Sot Online)