“Avokati i arrestuar s’ka qenë asnjëherë dhe nuk është i regjistruar në OAK”

  • E.K /
  • 26 October 2022 - 11:44
“Avokati i arrestuar s’ka qenë asnjëherë dhe nuk është i regjistruar në OAK”

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka reaguar pas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, se të martën janë ndaluar dy persona për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve, ku thuhej se njëri prej tyre është M.T (avokat).

Përmes një reagimi, OAK thotë se personi në fjalë, nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është i regjistruar në regjistrin e avokatëve të OAK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“OAK, po sa është njoftuar lidhur me këtë lajm, ka komunikuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë nga ku ka kuptuar se personi me inicialet M.T.  (emër i njohur për OAK-në), nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është i regjistruar në regjistrin e avokatëve të Odës së Avokatëve të Kosovës”, thuhet në reagim.

Meqenëse është apostrofuar profesioni i avokatit, OAK i bën thirrje Prokurorit të Shtetit që të ruajë imazhin e avokatit dhe avokatisë në përgjithësi.

“Për shkak të hetimeve fillestare të Prokurorit të Shtetit, OAK nuk mund të bëjë publike detaje të tjera, por meqenëse është apostrofuar profesioni i avokatit, nëpërmjet këtij reagimi kërkon nga Institucioni i Prokurorit të Shtetit, që të ruaj imazhin e avokatit dhe avokatisë në përgjithësi. Oda e Avokatëve të Kosovës, mbetet e gatshme për bashkëpunim me të gjitha institucionet ligj zbatuese, derisa thekson nevojën për ndërmarrjen e të gjitha masave për mbrojtjen e dinjitetit dhe imazhit të avokatëve në Republikën e Kosovës”, thuhet në fund të reagimit.

Ndryshe, në njoftimin e Prokurorisë thuhej se arrestimi i të dyshuarve erdhi pas zhvillimit të hetimit dhe aplikimit të masave të fshehta.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimit dhe aplikimit të masave të fshehta, në koordinim me Policinë e Kosovës-Departamentin për Hetimin e Krimeve Ekonomike, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar personat me inicialet I.L., dhe M.T., (avokat), për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale Mashtrimi, ndërsa e dyshuara I.L., dyshohet se ka kryer po ashtu, veprën penale Falsifikimi i dokumenteve”, thuhej në njoftimin e prokurorisë.

“Dyshohet se në mars të vitit 2021 në Graçanicë, pas një marrëveshje p​araprake dhe në bashkëkryerje, me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme e kanë vënë në lajthim një të dëmtuar, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, ku të njëjtit i kanë siguruar për vajzën e tij një certifikatë të gjuhës gjermane kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, e cila pas verifikimit nga Ambasada përkatëse ka rezultuar e falsifikuar, çka me këtë të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material”, thuhej tutje.

Sipas prokurorisë, personi me inicialet I.L., dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka përpiluar certifikatën e gjuhës gjermane, kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”.

(Kosova Sot Online)