Fabrika e metalit në Kukës, Specialja e quan vend krimi, ish-anëtarët e Shtabit s’dinë asgjë për të

  • E.K /
  • 26 October 2022 - 14:20
Fabrika e metalit në Kukës, Specialja e quan vend krimi, ish-anëtarët e Shtabit s’dinë asgjë për të

Një pllakë përkujtimore është e vendosur në një objekt gati të rrënuar në Kukës të Shqipërisë. Ajo hapësirë thuhet se i ka shërbyer UÇK-së për t’u përgatitur për luftë. Për Prokurorinë e Specializuar në Hagë, ai është vend krimi. Dy ish-anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti dhe Ramë Buja, thonë se s’dinë asgjë për të.

Ish-komandanti i UÇK-së, Pjetër Shala, javën e kaluar u paraqit para Gjykatës Speciale në një konferencë përgatitore për gjykim. Ai akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat pretendohet të jenë kryer midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 në ish-fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.

Ish-anëtarët e Shtapit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti e Ramë Buja, u shprehën të painformuar për atë objekt.

“Nuk di kurrgjë për atë vend”,  tha të martën Haliti. Edhe Buja, tha se për të po dëgjon “për herë të parë”.

“Nuk e ditkam për çfarë fabrike është fjala. Të lutem. Absolutisht nuk di gjë për të unë. Për herë të parë po dëgjoj që një fabrikë e metalit në Kukës paska shërby për diçka. Hera e parë që po dëgjoj”, tha ai.

Buja tha se nga dita e parë deri në ditën e fundit të luftës ka qenë në Kosovë dhe përsëriti se “s’kam ide për atë fabrikë”.

“Kjo është ajo që mund t’ju them unë. Absolutisht asnjë njohuri për atë gjë s’kam unë”, theksoi Buja.

Në prag të nisjes së gjykimit ndaj Pjetër Shalës, më 18 tetor, palët diskutuan për vizitën në vendin e pretenduar të krimit.

Nga ZPS u shprehën se koha më e mirë për ta realizuar vizitën do të ishte në fund të paraqitjes së provave nga ta, mbrojtja e viktimave dhe pala mbrojtëse, duke arsyetuar se në atë kohë trupi gjykues do të mund t’i kuptonte më mirë të gjitha provat.

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws e ka përmendur një dëshmitar, duke e ndërlidhur deklaratën e tij në diskutimin për vizitën në këtë ish-fabrikë.

“Ne kemi dëgjuar mendimet e individit që është prekur drejtpërdrejt nga ajo që ka ndodhur në këtë çështje dhe do të japë dëshmi dhe ai mendon që kjo do t’ju ndihmonte juve. Po ashtu, edhe ai e pranon që mund të ketë disa aspekte të sigurisë që ju duhet t’i merrni parasysh”, është shprehur Laws.

Mbrojtja e Pjetër Shalës është pajtuar me vlerën e një vizite në Kukës, duke theksuar faktin që dalja në terren të jep pikëpamje më të ndryshme sesa ajo që krijohet përmes fotografive apo vizatimeve.

“Ne mendojmë që koha më e përshtatshme ta bëjmë këtë vizitë është pas paraqitjes së provave nga Prokuroria dhe para paraqitjes së provave nga ana e Mbrojtjes”, ka thënë avokati Jean-Louis Gilissen.

“Çështja e sigurisë është aspekt mjaft i rëndësishëm. Ne mendojmë se nëse ju dëshironi ta kuptoni zinxhirin komandues dhe kush e ka pasur këtë në Kukës, ne dëshirojmë që ju të shkoni në fabrikën e metalit në Kukës”, ka shtuar ai.

Asllan Elezi, pronari i këtij objekti, kishte mohuar akuzat e Speciales. “Këto janë shpifje vetëm për ta ulur moralin dhe dinjitetin e atyre burrave që e kanë la Kosovën me gjak – ushtarët e UÇK-së. Unë mbaj përgjegjësi për këto që flas. Mbaj përgjegjësi para ligjit”, ishte shprehur ai për Top Channel.

Hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, këtë fabrikë të shkretë e kishin vizituar në vitin 2019. Pronari thoshte se ata kishin arritur të gjenin “vetëm tetë fishekë”.

Pandeli Majko, i cili kishte qenë kryeministër i Shqipërisë në periudhën kur pretendohet të jenë kryer këto krime, kishte mohuar gjithçka.

“Po të kishin qenë të vërteta, do ishin bërë shumë dokumentare. Do kishte informacione nga shtete të NATO-s”, ishte shprehur Majko.

Ne hyrje te qytetit, ne zonën industriale të Kukësit, ky objekt bie në sy. Ai e mban edhe një pllakë përkujtimore.

“Në këtë shtëpi ishte vendosur shtabi nr.1 ku merrnin detyrat për çdo ditë përgjegjësit e mobilizimit të përgjithshëm të UÇK-së. Në prill, mars, maj të vitit 1999 mobilizimi bëhej me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, shkruhet ndër tjerash në këtë pllakë.

Ish-fabrika e metalit në aktakuzën kundër Pjetër Shalës

Në aktakuzën kundër Pjetër Shalës, ish-fabrika e metalit në Kukës përshkruhet si qendër për ndalimin dhe marrjen në pyetje të personave të cilët dyshoheshin se kishin bashkëpunuar me Serbinë, apo të cilët nuk përkrahnin UÇK-në, aty pretendohet se u kryen disa krime makabre.

“Afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr SHALA dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës. Qëllimi i përbashkët përfshinte kryerjen e krimeve si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme”, thuhet në aktakuzë.

Në të, Prokuroria përfshin edhe ish-pjesëtarë tjerë të UÇK-së si Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi e të tjerë të cilët konsiderohen si “anëtarë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

“Afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr SHALA dhe disa anëtarë të tjerë të UÇK-së, ndër të cilët Sabit GECI, Xhemshit KRASNIQI dhe ushtarët e UÇK-së [REDAKTUAR], u hoqën lirinë [REDAKTUAR] personave pa proces ligjor të rregullt në fabrikën e metalit në Kukës. Ata u mbajtën në qeli të improvizuara të ruajtur nga roja të armatosura, u prangosën dhe u lidhën, iu morën dokumentet e udhëtimit dhe paratë dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës, sikurse përshkruhet në paragrafët e mëposhtëm 18-24 dhe 26. Këta persona u arrestuan dhe u mbajtën të ndaluar pa bazë ligjore, nuk u informuan për arsyen e arrestimit ose ndalimit të tyre dhe/ose nuk iu dha mundësia të paraqisnin ankesë për ndalimin e tyre”, thuhet ndër tjerash në aktakuzën kundër Shalës.

“Komandant Ujku” akuzohet edhe për raste tjera ku pretendohet se mori pjesë në kryerjen e krimeve të këtij lloji. Ai dhe disa të tjerë, sipas aktakuzës pretendohet se i mbanin të ndaluar disa persona pa proces ligjor, pa ushqim dhe ujë të mjaftueshëm.

“Gjithashtu, afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr SHALA dhe disa anëtarë të tjerë të UÇK-së, ndër të cilët Sabit GECI, Xhemshit KRASNIQI dhe ushtarët e UÇK-së [REDAKTUAR], në mënyrë të përsëritur keqtrajtuan të ndaluarit në fabrikën e metalit në Kukës si fizikisht, ndër të tjera përmes rrahjes me mjete të ndryshme, po ashtu edhe psikologjikisht, ndër të tjera përmes kërcënimit me vdekje dhe kërcënimit me lëndim të rëndë fizik, frikësimit, poshtërimit, diskriminimit për arsye politike, kanosjes, ngacmimit, marrjes në pyetje dhe dhënies së deklaratave dhe pranimit të detyruar ose nën shtrëngim. Të ndaluarit u keqtrajtuan fizikisht dhe psikologjikisht në pranitë të ndaluarve të tjerë. Disa prej tyre u detyruantë bënin punë krahu gjatë kohës që u mbajtën të ndaluar”, thuhet tutje në aktakuzë.

Aktakuza pretendon gjithashtu se Pjetёr Shala dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së i kërcënuan të ndaluarit dhe i akuzuan si bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe dhe si mospërkrahës të UÇK-së. Në maj 1999, “Komandant Ujku” dhe të tjerët akuzohen të kenë marrë pjesë në një keqtrajtim në këtë ish-fabrikë, i cili kishte përfunduar me vdekje.

“Më 17 maj 1999, ose rreth kësaj date, [REDAKTUAR] u arrestua dhe u mbajt i ndaluar nga disa anëtarë të UÇK-së në një ish-fabrikë metali në Kukës, Shqipëri. [REDAKTUAR] dhe të ndaluar të tjerë u rrahën egërsisht pothuaj çdo ditë nga disa anëtarë të UÇK-së, ndër të cilët Sabit GECI. Më 4 qershor 1999, ose rreth kësaj date, gjatë një keqtrajtimi të tillë, [REDAKTUAR] u qëllua [REDAKTUAR]. Të nesërmen [REDAKTUAR] vdiq si pasojë e keqtrajtimit”, thuhet në aktakuzë.

Ish-fabrika e metalit në aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit

Akuza të njëjta i ngarkohen edhe ish-krerëve të lartë të UÇK-së, ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-ministrit të rendit në qeverinë e përkohshme, Rexhep Selimit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i akuzon Thaçin dhe të tjerët për krimet në ish-fabrikën e metalit. Së paku, sipas ZPS-së, Thaçi dhe të tjerët ishin ose do të duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

“Midis majit dhe qershorit 1999, disa anëtarë të UÇK-së, ndër të cilët Sabit GECI, mbajtën të ndaluar së paku 20 persona për periudha kohe të ndryshme dhe pa proces ligjor të rregullt në një ish-fabrikë metali në Kukës, rrethi i Kukësit, Shqipëri. Të ndaluarve iu konfiskuandokumentet e udhëtimit dhe gjësendet personale. Ata u vunë nën pranga, u lidhën dhe u mbajtën nën rojë të armatosur në dhoma të kyçura dhe me dritare me shufra hekuri. Disa të ndaluar në Kukës u transferuan nga ose për në qendra të tjera ndalimi, [REDAKTUAR]”, thuhet në aktakuzën kundër Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit.

Më imtësisht, një akuzë më vete rëndon mbi ta, ku ish-liderët e UÇK akuzohen se në ish-fabrikën e metalit në Kukës kishin burgosur 12 persona, të cilët ishin arrestuar dhe ruheshin në periudha të ndryshme kohore.

(Kosova Sot Online)