Vuçiq: Për planin franko – gjerman do të dërgoj përgjigje brenda 24 orëve, disa gjëra s’i pranojmë

  • E.K /
  • 27 October 2022 - 12:58
Vuçiq: Për planin franko – gjerman do të dërgoj përgjigje brenda 24 orëve, disa gjëra s’i pranojmë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar të enjten se brenda 24 orëve do të japin një përgjigje për planin franko-gjerman.

Ai ka thënë se janë të gatshëm për të negociuar, por shton se disa gjera s’mund t’i pranojnë.

Vuçiq ka theksuar se plani franko-gjerman tashmë e ka gjetur edhe mbështetjen amerikane.

Të mërkurën, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka pranuar ekzistencën e një plani të tillë.

Por nuk ka dhënë detaje për përmbajtjen e tij, pos asaj që këtë plan e sheh në përpjekjen e perëndimit për intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, të enjten ka thënë se “asnjëherë nuk e ka mohuar ekzistencën e këtij plani”.

”Në fakt asnjëherë nuk e kam mohuar, ky është një konstatim i gabuar. Në çdo deklaratë kam thënë se ekziston një deklaratë franko-gjermane.  Do të ketë takime në mënyrë që detajet e kësaj iniciative që kanë për qëllim paqen dhe stabilitetin në rajon të shpjegohen më në detaje”, ka thënë Osmani.

Diskutimet për planin franko-gjerman vijnë në një kohë kur më 1 nëntor targat ”KM“, të serbëve do të jenë ilegale – afati për konvertimin e tyre në ”RKS“ ka qenë dy-mujor.

Perëndimi i ka kërkuar Kosovës që ta shtyjë për 10 muaj vendimin për targat, e dialogu të fokusohet në çështje të tjera.

Tash një ide franko-gjermane ekziston, ekzistencën e të cilit e kanë pranuar të gjithë.

(Kosova Sot Online)