Rast i rëndë i dhunës në një familje në Gjilan: Burri narkoman tenton ta ngufat gruan, e kërcënoi edhe me vrasje

  • A.P /
  • 30 October 2022 - 14:55
Rast i rëndë i dhunës në një familje në Gjilan: Burri narkoman tenton ta ngufat gruan, e kërcënoi edhe me vrasje

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë. Shumë herë ka pasur raste të tmerrshme të dhunës në familje, që kanë përfunduar edhe tragjikisht.

 

Në mesin e shumë raste që janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë është edhe një ngjarje goxha e rëndë që ka ndodhur në rrugën “Sami e Shaban Ukshini” të Gjilanit. Si në të shumtën e rasteve, edhe këtë herë viktimë është një grua, e cila është në hall me bashkëshortin e saj, i cili përveç dhunës psikike që po ia shkakton në vazhdimësi, edhe po e sulmon fizikisht.

 

Sinjali ka mësuar se viktima që një kohë përjeton dhunë nga  burri i saj, por asnjëherë nuk ka pasur guximin që të njoftojë Policinë, pasi ishte kërcënuar seriozisht se nëse e bën një gjë të tillë do ta pësojë ajo më së keqi. Sipas informacioneve që posedon Sinjali, i dyshuari B.A., përdorues i narkotikëve e kishte kanosur me vrasje bashkëshorten e saj, e cila kishte vendosur të hesht përballë ditëve e netëve që kalonte me dhunë.

 

Dhuna lëre që nuk u ndal, veç u shtua dhe çdo herë situata tensionohej edhe më shumë, siç ka ndodhur mbrëmë me rastin e fundit.

 

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se fillimisht i dyshuari e kishte sulmuar djalin e tyre, derisa gruaja ndodhej në dhomë me të, gjë që shqetësoi jashtëzakonisht shumë nënën, e cila nuk duroi dhe kërkoi nga bashkëshorti që të ndalej.

 

Por situata vetëm doli nga kontrolli, ashtu që i dyshuari filloi ta sulmojë gruan e tij, duke ia mbyllur gojën, deri në atë pikë sa asaj iu vështirësua frymëmarrja dhe ajo përfundoi në Emergjencën e Spitalit të Gjilanit, por më pas e raportoi burrin e saj.

 

Si rezultat i këtij denoncimi, Policia është vënë në veprim dhe ka prangosur të dyshuarin, e cila në Stacionin Policor është përballur me denoncimin kundër tij. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin prej 48 orësh për veprën penale “Dhunë në familje” dhe dorëzimin e kallëzimit penal.

(Kosova Sot Online)