Deputetja Geci rrëfen tmerrin që përjetoi në Gjinekologji: Një shtrat për dy lehona, tualetet nuk i plotësojnë kushtet elementare

  • E.K /
  • 01 November 2022 - 14:10
Deputetja Geci rrëfen tmerrin që përjetoi në Gjinekologji: Një shtrat për dy lehona, tualetet nuk i plotësojnë kushtet elementare

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Marigona Geci, ka rrëfyer përvojën e keqe në repartin e Gjinekologjisë në ShSKUK gjatë kohës sa solli në jetë djalin e saj. Deputetja Geci tregon se në Gjinekologji mungojnë kushtet elementare, ku në një shtrat vendosen dy lehona, ka mbingarkesë të madhe në klinikë dhe tualetet nuk i plotësojnë nevojat elementare.

Si pasojë e kushteve të rënda në Gjinekologji, deputetja Marigona Geci, beson se djali i saj është infektuar me Rotavirus. Sipas saj ky virus është i rrezikshëm dhe për foshnjet mund të jetë edhe vdekjeprurës.

“Unë momentalisht jam në repartin e Neonatologjisë, ku trajtohen fëmijët e sapolindur. Në repartin e Gjinekologjisë kam qenë me datën 27, ndërsa me datën 28 jam liru nga ai repart. Në video shihen kushtet që i ka Gjinekologjia. Kushtet mungojnë në  QKUK dhe fëmijët mund të marrin infeksione, në repartin Gjinekologik kanë qenë dy lehona në një shtrat, ka pasur mbingarkesë në dhoma të lehonave dhe foshnjeve, për shkak të numrit të madh dhe për shkak të një renovimi që është duke ndodhur në një repart tjetër. Një nënë dhe një lehonë këtë e përjeton në mënyrën më të rëndë të mundshme sepse është vetë nënë dhe është duke e trajtuar një foshnje të sapolindur. Tualetet që shfrytëzohen nga lehonat janë në mënyrën më tmerruese që nuk i plotësojnë kushtet elementare që një lehonë mi kry nevojat e saja. Pastaj këtu mund të vijnë infeksionet dhe të barten te foshnjat e sapolindura”, tha Geci.

Tutje, deputetja tha se pasi është liruar nga spitali është detyruar të kthehet sepse djali i saj ka filluar të ketë barkqitje.

“Besoj që fëmija im është infektu në spital, sepse ka qenë i sapolindur dhe nuk ka pas ku me u infektu. Vazhdimisht ka pas barkqitje dhe kanë thënë mjekët me bo një analizë për Rotavirus dhe rezultati zgjatë 24-48 orë, mandej e kam dërgu në privat për ta parë rezultatin. Djali ka rezultu që është pozitiv. Rotavirusi është virus i rrezikshëm dhe për një foshnje të posalindur mundet me qenë vdekjeprurës”, tha ajo.

Geci tregon se aktualisht gjendja shëndetësore e djalit të saj është e mirë.

Ajo u pyet se meqenëse është njoftuar për së afërmi me kushtet në Gjinekologji, çfarë iniciative do të ndërmarrë në përmirësimin e kushteve aty.

“Unë jam në Komisionin për të Drejtat e Mjeriut, jemi duke punu për ngritjen për të drejtat e fëmijëve dhe këtu duhet të ngritet çështja. E dimë që Qeveria duhet me investu, ajo që duhet me bë është që ne si Kuvend dhe Qeveri duhet me investu aty ku fillon jeta, pra këtu ku është burimi i jetës, sepse nëse ka tmerr aty ku fillon jeta ka me vazhdu edhe tutje. Nuk është faji te doktorët, por nuk i kanë kushtet. Ne duhet mi përmirësu kushtet që mos me u bart infeksionet, janë dhomat e mbingarkuara me foshnje, me lehona dhe natyrisht që kanë me u bart infeksionet”, u shpreh ajo.

Teksa pamjet nga Gjinekologjia i publikoi babai i saj, Gani Geci, një pjesë e komentuesve pyetën se përse kushtet në ShSKUK nuk janë përmirësuar gjatë kohës sa Marigona ka qenë deputete dhe në kohën kur LDK-ja ishte në pushtet, ajo ka një përgjigje për këtë çështje.

“Unë nuk kam qenë më herët deputete, jam bërë deputete në vitin 2019 shumë shpejt ra qeveria dhe erdhi qeveria tjetër, tash është mandati i dytë si deputete dhe tash është hera e parë që unë po vij në QKUK si një nënë si lehohë”, u shpreh ajo.

Në përfundim të intervistës, deputetja Geci tha se Qeveria duhet të investojë në klinikat e ShSKUK-së.

“Duhet mi kushtu shumë vëmendje dhe me investu shumë në klinikat e QKUK-së që mos me u bart infeksionet, sepse fëmijët që vijnë këtu e kanë një infeksion dhe marrin edhe infeksione të tjera dhe iu duhet me u trajtu për një kohë shumë më të gjatë”, përfundoi ajo.

Lidhur me kushtet në Gjinekologji, Express, ka kontaktuar me drejtorin e kësaj klinike Zef Ndreja, por i njëjti ka kërkuar që gazeta t’i referohet një reagimi të QKUK-së.

Në reagimin e QKUK-së, thuhet se Reparti i Lehonave ndodhet në renovim duke i lutur qytetarët që të kenë mirëkuptim.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës, njofton qytetarët e Kosovës, se Reparti i Lehonave, në kuadër të Klinikës Obstetrike Gjinekologjike, aktualisht është në rinovim e sipër. 

Në atë pjesë ku është duke u rinovuar reparti nuk ka asnjë paciente të shtrirë.

Klinika Obstetrike Gjinekologjike ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë shërbime shëndetësore për të gjithë pacientet që kanë nevojë të marrin shërbimet  e nevojshme.

Klinika kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, ngase rinovimi po bëhet me qëllim të ofrimit të kushteve më të mira për nëna dhe lehona”, thuhet në reagimin e tyre.

Ndërkohë, Gani Geci, në pamjet e publikuara nga ky repart, ka kërkuar nga MSh që të mos kursehen investimet te lehonat.

“Shiheni pak gjendjen e mjerushme oo ministër, mos kurseni te lehonat se ashtu e kështu kemi rënje të natalitetit dhe ikje masive të mjekëve, inxhinierëve dhe si shkak kryesor për ikje është Sistemi Shëndetësor dhe Sistemi Arsimor”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Postimi i tij i plotë:

(Kosova Sot Online)