Prokuroria angazhon psikiatër për të moshuarën, po heton nëse ka pasur abuzime tjera në Shtëpinë e Pleqve

  • E.K /
  • 03 November 2022 - 11:37
Prokuroria angazhon psikiatër për të moshuarën, po heton nëse ka pasur abuzime tjera në Shtëpinë e Pleqve

Dorjan Juniku, njëri nga dy prokurorët e rastit për rrahjen e të moshuarës në Qendrën për të Moshuar “Orenda” në Pejë, deklaron  se sot pritet të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tri punonjëseve të “Orenda-s”.

Teksa foli prokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Dorjan Juniku, tha se që nga dita e djeshme është autorizuar policia për të intervistuar personelin e shtëpisë së të moshuarve dhe banorët e saj, në mënyrë që të sigurojnë ndonjë provë nëse aty ka pasur raste të dhunës edhe në të kaluarën.

“Sot do të parashtrohet kërkesa për caktimin e paraburgimit, ndaj tri të dyshuarave. Qysh dje ne e kemi autorizuar policinë që të intervistojë personelin por edhe personat e tjerë që kanë qenë banorë në atë shtëpi, me qëllimin që të sigurojmë ndonjë provë nëse eventualisht mund të ketë ndodhur ndonjë rast edhe më përpara”, tha prokurori Juniku.

Prokurori tha se sot kanë angazhuar një mjek psikiatër për të vlerësuar nëse e moshuara (viktima e dhunës), është në gjendje që të jap deklaratë.

“Sot e kemi angazhu një mjek psikiatër që fillimisht ai me vlerësu gjendjen e saj psiko-fizike, nëse e njëjta në këtë fazë është ne gjendje të jap deklaratë ose jo dhe varësisht prej konstatimit të mjekut do të veprojmë”, tha ai.

I pyetur nëse për këtë rast priten arrestime të reja ai tha “Jemi duke punuar në atë drejtim, varësisht prej provave që do të konsistojnë nga vazhdimi i hetimit ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet e duhura ligjore”.

Prokurori shtoi se deri më tani nuk është denoncuar asnjë rast i dhunës në shtëpinë ku u rrah brutalisht e moshuara.

Tri punonjëset e arrestuarat dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi” dhe veprën penale “ndihma në kryerjen e veprës penale Sulmi””, ka konfirmuar prokuroria.

Tutje, Prokuroria ka njoftuar se në këtë çështje ka angazhuar dy prokurorë të shtetit.

Pamjet çnjerëzore teksa rrahet e moshuara kanë tronditur vendin, por për këtë rast kanë raportuar edhe mediat e rajonit dhe ato botërore.

Gazeta britanike “Daily Mail” ka shpërndarë sulmin ndaj të moshuarës që ndodhi në shtëpinë “Orenda” në Pejë.

“Ky është momenti shokues kur një e moshuar në një shtëpi të pleqve në Kosovë goditet me shuplakë vazhdimisht nga një infermiere”, shkruan “Daily Mail”.

“Pak jam tu ja hi qysh di me sill unë, pak jam tu ja hi”, dëgjohet duke thënë infermierja Aurona Pelaj që e rrah me shuplaka e me shqelma të moshuarën në Pejë, teksa koleget e saj qeshin me zë të lartë.

(Kosova Sot Online)