Olaf Scholz në Samitin e Ballkanit Perëndimor: Procesi i normalizimit Kosovë-Serbi duhet të përshpejtohet

  • E.K /
  • 03 November 2022 - 10:36
Olaf Scholz në Samitin e Ballkanit Perëndimor: Procesi i normalizimit Kosovë-Serbi duhet të përshpejtohet

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, në fjalën hyrëse të Samitit të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit, si nikoqir iu tha mysafirëve se përkasin në Bashkimin Europian dhe se premtimet e tilla duhet të bëhen realitet.

“Europa mund të kompletohet vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj. Ju gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkisni pjesës së Europës së lirë dhe demokratike. Pranimi në BE është në interesin tonë”, tha Shcolz në pjesën e samitit, e cila lejohet të dëgjohet edhe nga publiku.

Kancelari gjerman foli edhe për tri marrëveshjet që gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do t’i nënshkruajnë.

“Sot do t’i nënshkruani tri marrëveshje të rëndësishme që do t’ia lehtësojnë njerëzve jetën. Tregu i përbashkët rajonal do të shtyjë përpara ekonominë dhe investimet në rajonin tuaj. Marrëveshja do të ndihmojnë qytetarët tuaj që të kalojnë kufijtë vetëm me letërnjoftime. Një student nga Sarajeva mund të përfundojë  studimet në Beograd apo një inxhinier në Tiranë duke përdorur gradën e tij mund të gjejë një punë në Shkup”, tha Scholz, derisa shtoi se këto marrëveshje i sjellin vendet afër standardeve të BE-së.

Derisa po fliste për luftën e Rusisë në Ukrainë, si dhe konfliktet në Ballkan që kanë ndarë rajonin, Scholz e vuri në theks mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi.

“Procesi i normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë veçanërisht duhet të përshpejtohet, kështu që – të përshpejtohet”.

Ai tha se qytetarët e vendeve e Ballkanit Perëndimor mund të llogarisin në Gjermaninë dhe në Procesin e Berlinit.

“Vetëm të bashkuar mund të mbrojmë vlerat europiane dhe sundimin e ligjit. Dhe vetëm bashkë do t’i përballojmë sfidat e kontinentit dhe botës”.

Scholz tha se sfidat me energji  janë në fokus të Procesit të Berlinit  dhe se sot këto diskutime do të çohen përpara.

“Jemi të gatshëm t’iu mbështesim juve në këtë drejtim”.

Në këtë samit po marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

(Kosova Sot Online)