“Të ndalohet diskriminimi i shqiptarëve”, Sunak reagon pas komenteve të Ramës

  • E.K /
  • 03 November 2022 - 14:49
“Të ndalohet diskriminimi i shqiptarëve”, Sunak reagon pas komenteve të Ramës

Zyra e kryeministrit britanik, Rishi Sunak ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama i cili tha se Britania e Madhe nuk duhet të diskriminojë shqiptarët, por të punojë për të forcuar kufijtë e vet kundër emigracionit të paligjshëm.

Britania ka një marrëdhënie të fortë me Shqipërinë dhe është mirënjohëse për punën që bën për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore , tha sot një zëdhënëse e kryeministrit Sunak, pyetur pas deklaratave të Ramës.

“Ne kemi një marrëdhënie të fortë me partnerët tanë shqiptarë. Ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin e qeverisë shqiptare dhe mbetemi plotësisht të përkushtuar për të punuar së bashku me ta,” u tha zëdhënësja gazetarëve.

“Duam të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi me partnerët ndërkombëtarë për të thyer modelin e biznesit të trafikantëve të qenieve njerëzore dhe i jemi mirënjohës Shqipërisë për punën që bën me ne në këtë drejtim”, thuhet më tej në reagim.

Rama reagoi dje pas debateve në parlamentin britanik për çështjen e emigracionit të paligjshëm, si dhe për ligjin që po hartohet për të rikthyer menjëherë mbrapsht emigrantët shqiptarë që shkojnë në ishull.

Në reagimin e tij të gjatë kreu i qeverisë deklaroi se “Britania e Madhe duhet të luftojë bandat kriminale të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave të saj”.

Krahas kritikave për gjuhën e përdorur në reagimin e tij Rama shkroi se është gati për të punuar më afër me Mbretërinë e Bashkuar, por theksoi se respekti duhet të jetë i ndërsjellë.

Këto reagime erdhë pas deklaratave të Ministres së Brendshme britanike Suella Braverman e cila u kritikua ashpër pasi e përshkroi mbërritjen e azilkërkuesve në Britani si një “pushtim” kriminal. Në përgjigje të pyetjeve para parlamentit, Braverman tha se duhet përshpejtuar procesi i shqyrtimit dhe të realizohet largimi i shtetasve shqiptarë. Sipas këtij plani, emigrantët shqiptarë do të kthehen brenda disa ditësh pas në vendin e tyre që të mos kenë kohë që të kërkojnë azil.

(Kosova Sot Online)