Kjo është letra e plotë që Ramush Haradinaj i dërgoi Albin Kurtit

  • E.K /
  • 03 November 2022 - 15:24
Kjo është letra e plotë që Ramush Haradinaj i dërgoi Albin Kurtit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot në një konferencë për media ka thënë se i ka dërguar një letër kryeministrit Kurti, në të cilën ishin 3 kërkesa.

Haradinaj e ka publikuar edhe letrën e plotë që ia ka dërguar Kurtit.

“Me shqetësim po e përcjell situatën e sigurisë në veri të vendit, pas vendimit tuaj të fundit për targat. Askush, as brenda Kosovës e as partnerët tonë ndërkombëtar nuk e konteston të drejtën e Kosovës për të zbatuar ligjin në mbarë territorin e vendit. Por, momenti aktual është i ndjeshëm dhe kërkon maturi e gjakftohtësi, në mënyrë që të mos rrezikohet procesi drejt Marrëveshjes Finale mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në fillim të letrës së Haradinajt për Kurtin.

Kërkesa e parë e Haradinajt për Kurtin është që ta pranojë kërkesën e SHBA-së për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale.

Kërkesa e dytë e Haradinajt është që Kurti “deri në marrëveshjen finale mos të ndërmerrë asnjë veprim që rrezikon sigurinë e vendit, në cilën do pjesë të tij, pa koordinim në plotni me SHBA-të”.

Ndërkaq, kërkesa e tretë e Haradinajt është që Kurti të flasë me këshilltarin nacional, Jake Sullivan, “për të qartësuar dhe saktësuar veprimet që shtensionojnë situatën aktuale të sigurisë në rajon”.

(Kosova Sot Online)