Isa Mustafa pasi takoi Thaçin, Veselin e Krasniqin në Hagë: Kemi pasur mospajtime, por kontributi i tyre është i pamohueshëm

  • E.K /
  • 05 November 2022 - 10:33
Isa Mustafa pasi takoi Thaçin, Veselin e Krasniqin në Hagë: Kemi pasur mospajtime, por kontributi i tyre është i pamohueshëm

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka treguar se në fillim të kësaj jave ka qëndruar në Hagë ku edhe ka realizuar një vizitë tek ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.

Mustafa ka thënë se këto figura kanë qenë shumë të rëndësishëm për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Ai ka thënë se është i gëzuar nga fakti që ata janë mirë dhe të bindur në pafajësinë e tyre dhe në luftën e drejtë të UÇK-së.

Mustafa ka thënë se në të kaluarën ka mundur të mos pajtohet me njërin apo tjetrin për koncepte partiake apo të qeverisjes por shton se trimëria dhe kontributi i tyre për mbrojtjen e popullit të Kosovës është i pamohueshëm.

Ish-kryeministri thotë se siç është i pamohueshëm kontributi i tyre në luftë, është i pamohueshëm edhe kontributi në Rambuje, trasnformimin e UÇK-së, negociatat e Vjenës për pavarësinë e Kosovës dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike.
Reagimi i plotë:

Miq të nderuar
Në fillim të kësaj jave vizitova ish krerët e UÇK-së dhe drejtuesit e institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës për një kohë të gjatë dhe shumë të rëndësishme të shtetndërtimit, Presidentin Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, të cilët po mbahen bashkë me luftëtarë tjerë në paraburgim në Hagë. Më gëzoi fakti që i gjeta mirë, të mbushur me idealizëm; të bindur në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë të UÇK-së, të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën. Mund të jem pajtuar apo të mos jem pajtuar me njërin apo tjetrin për konceptet partiake e të qeverisjes , por është e pamohueshme trimëria dhe kontributi i tyre në mbrojtjen e popullatës në zonat më të ashpra të luftës dhe zëdhënien për masakrat çnjerëzore nga ushtria dhe shteti i Millosheviçit, ashtu siç është i pamohueshëm edhe kontributi për paqe në Konferencën e Rambujesë, në transformimin e UÇK-së menjëherë pas lufte, në negociatat e Vjenës për shtet të pavarur, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike. Uroj që nga ky proces, që u iniciua nga konstruksionet e rrejshme ruse-serbe në Raportin e Dick Martit, të fitojë drejtësia! IM

(Kosova Sot Online)