Zv. Ministri Sallahu me akuza të rënda kundër Behgjet Shalës: I ke keqpërdorur 100 mijë euro, kurse nga këshillat për Asociacionin

  • S.A /
  • 07 November 2022 - 13:17
Zv. Ministri Sallahu me akuza të rënda kundër Behgjet Shalës: I ke keqpërdorur 100 mijë euro, kurse nga këshillat për Asociacionin

Numri dy në Ministrinë e Drejtësise, Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka drejtuar akuza serioze në adresë të  KMDLNJ-së duke thënë se  i ka keqpërdorë 100 mijë euro të taksapaguesve, prandaj  ka kërkuar  nga  ky institucion që të mos merret me këshillat rreth  themelimit të  Asociacionit. Sallahu ka thënë se Asociacioni do ta deformonte shtetin.“Do të ishte mirë që keqpërdoruesit që i kanë dëmtuar fondet publike, të na kursejnë nga këshillat e themelimit tê Asociacionit që na e deformon shtetin”, është shprehur ai.

Ky është postimi i tij i plotë i Zëvendësministrit Blerim Sallahu :

KMDLNj-ja i ka keqpërdorur rreth 100.000€ të taksapaguesve. Rastin e kemi dërguar në Gjykatë dhe këta që supozohet t’i mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, le të përgatiten ta mbrojnë fillimisht veten para drejtësisë!

Do të ishte mirë që keqpërdoruesit që i kanë dëmtuar fondet publike, të na kursejnë nga këshillat e themelimit tê Asociacionit që na e deformon shtetin!

Liritë dhe të drejtat e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe me akte ndërkombëtare. Ne i respektojmë ato maksimalisht. Por, liritë dhe të drejtat e njeriut i cënojnë pikërisht ata që bëjnë thirrje për themelim të mekanizmave që e shkelin Kushtetutën, siç është Asociacioni, i cili në thelb është strukturë e bazuar në përkatësi etnike, përmes të cilës rriten dallimet e diskriminimet kombëtare, që janë në frymë të kundërt me liritë dhe të drejtat e njeriut.

(Kosova Sot Online )