Policia e Kosovës: Të gjitha veprimet policore do të ndërmerren konform autorizimeve ligjore

  • A.P /
  • 07 November 2022 - 16:55
Policia e Kosovës: Të gjitha veprimet policore do të ndërmerren konform autorizimeve ligjore

"Numri i njoftimeve për dorëheqje të punonjësve të uniformuar dhe të atyre civil nga rendi publik, kufiri dhe hetimet, të cilët deri më tani i kanë dërguar njoftimet në rajonet dhe stacionet policore ka arritur deri në pesëqind e shtatëdhjetë e tetë (578) punonjës. Disa prej tyre janë në proces të dorëzimit të pajisjeve, ndërsa disa prej tyre deri më tani i kanë dorëzuar pajisjet e tyre, për të vazhduar me kompletimin e procedurave tjera të parapara", ka njoftuar Policia e Kosovës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online" 

Tutje Policia thotë se “ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara në veri”. 


PK thotë se pas dorëheqjeve në mungesë të personelit dhe kapaciteteve të mjaftueshme policore në veri “do të rris gradualisht kapacitetet e saja policore me zyrtarë të rendit publik”.

“Të gjitha veprimet policore do të ndërmerren konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve, ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mbikëqyrjes dhe kontrollit kufitar”, thuhet në njoftimin nga policia.

(Kosova Sot Online)