Vendos Lista Serbe: Bojkoton zgjedhjet lokale në Veri

  • A.P /
  • 25 November 2022 - 18:06
Vendos Lista Serbe: Bojkoton zgjedhjet lokale në Veri

Janë gjashtë subjekte politike, të cilat kanë paraqitur aplikimet e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të katër komunave në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të cilat do të mbahen me 18 dhjetor, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se ka përfunduar sot periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të vendit, e cila kishte nisur më 15 dhjetor.

“Iniciativa qytetare Mitrovica ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim për zgjedhjet e katër komunave… Partia e Serbëve të Kosovës (Partia Kosovskih Srba) ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Leposaviqit. Është një kandidat i pavarur. Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet për kryetarët e katër komunave. Iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe” (Srpski Opstanak) ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, ka njoftuar Elezi.

Elezi ka shtuar se pas pranimit të aplikacioneve, KQZ-ja do t’u drejtohet institucioneve përkatëse kompetente të vendit për të verifikuar kandidatët nëse ata janë në përputhje me Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme.

(Kosova Sot Online)