Dy ditë pas dhunës, Berisha shfaqet me syze dielli në zyrën e tij me ish-presidentin kroat! Kreu i PD: Personi që u zgjodh për të më sulmuar, informator i policisë kriminale

  • E.K /
  • 08 December 2022 - 11:52
Dy ditë pas dhunës, Berisha shfaqet me syze dielli në zyrën e tij me ish-presidentin kroat! Kreu i PD: Personi që u zgjodh për të më sulmuar, informator i policisë kriminale

Dy ditë pas dhunës së ushtruar në protestën e 6 dhjetorit, Sali Berisha është shfaqur në zyrën e tij në selinë e PD me ish-Presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiç.

Ish-kryeministri shihet se mban syze dielli, pasi në fytyrën e tij ka ende shenja nga grushti i Gert Shehut, i cili e goditi teksa Berisha po marshonte së bashku me protestuesit në bulevard.

Kreu i PD ka deklaruara para ish Presidentit kroat, se personi që ishte zgjedhur për ta sulmuar është një informator i policisë kriminale.

“Personi i zgjedhur që do më godiste është informator i policisë kriminale, me të cilin është marrë një nga figurat më të zeza të historisë së shtetit shqiptar”, u shpreh Berisha.

Sjellim në vëmendje se Sali Berisha u dhunua nga 31-vjeçari Gerti Shehu ditën kur opozita mbajti protestën, në një kohë që në Tiranë ishin edhe liderët e BE.

Menjëherë pas sulmi, Shehu u neutralizua nga truprojat e Berishës, por edhe simpatizantë. Më pas i riu u arrestua nga policia, ndërsa kjo e fundit referuar një raporti mjekësor dyshon se ai vuan nga probleme mendore.

Opozita nga ana e saj për këtë sulm akuzon qeverinë dhe kryeministrin Rama se qëndron prapa këtij akti të rëndë.

(Kosova Sot Online)