
Kryetari i Sindikatës: Policët në Veri furnizohen me ushqim tri herë në ditë, kanë të gjitha pajisjet që iu duhen

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka treguar se Policët që po qëndrojnë në veri me orë të tëra, ushqehen tri herë brenda ditës dhe se i kanë të gjitha pajsjet e nevojshme, përcjell "Kosova Sot Online".
“Unë kam informacione që kanë ushqim dhe ata furnizohen me ushqim tri herë në ditë, tri shujta. Tri racione të ushqimeve jipen kur policët janë në plane operative. Ata janë të kompletuar me uniforma, veshmbathje dhe të gjitha pajisjet që iu duhen. Ushqimi poashtu iu shkon tri herë në ditë”, tha Zeqiri.
Ndërkaq, në anën tjetër, sot Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se Policet e Kosovës po ju përfundojnë rezervat e ushqimit.
“Në bazë të informatave që kam nga tereni, tani po bëhen 55 orë që Policet e Kosovës pa ndërrim po qëndrojnë në Jarinje pasi që rruga është bllokuar që 48 orë. Përveç lodhjes e rraskapitjes, atyre tash po ju përfundojnë edhe rezervat e ushqimit. Qeveria e Kosovës duhet të jetë transparente dhe të na njoftoj për gjendjen e policëve. Urgjentisht të gjendet një mundësi që të bëjë ndërrimin e policëve dhe të siguroj rezerva të ushqimit për ta”, ka shkruar ajo.
(Kosova Sot Online)