Bërnabiq i ka dy fjalë për Escobarin

  • A.P /
  • 13 December 2022 - 22:50
Bërnabiq i ka dy fjalë për Escobarin

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është “një tjetër politikan që me vendosmëri është kundër rezolutave valide të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka deklaruar kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, 

Në disa postime në Twitter, Bërnabiq, ka thënë se Escobar “e ka marrë rolin e Këshillit të Sigurimit dhe me votën e tij unanime, të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë dhe ministres [Viola] von Cramon, të njohur edhe Raportuesja për Kosovën, e ka anuluar Rezolutën 1244”.

“Kombet e Bashkuara nuk kanë nevojë të organizojnë sesione të Këshillit të Sigurimit, kjo trojkë do të vendosë për të gjitha çështjet globale tash e tutje”.

“Nëse mundem, një pyetje, nëse Rezoluta 1244 nuk është më valide (sepse juve nuk ju pëlqen, ndonëse askujt nuk i bëhet vonë) dhe nëse Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston (siç thotë [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, dhe pasi ju nuk i dënoni deklaratat e tij, ju liderë të mëdhenj) dhe nëse Marrëveshja e Uashingtonit nuk është asgjë pos diçka e së kaluarës, dhe nëse Karta e OKB-së nuk vlen për Serbinë (sepse ju liderët besoni se nuk duhet), atëherë në bazë të cilës marrëveshje/rezolute/parimi duhet të veprojmë ne?” ka pyetur ajo.

Bërnabiq nuk e ka bërë të ditur se cilave deklaratave të Escobarit u është referuar, apo cilave veprime të mekanizmave tjerë ndërkombëtarë.

Escobar ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se SHBA-ja kundërshton kategorikisht kthimin e forcave serbe në Kosovë, që Serbia ka paralajmëruar se do ta kërkojë nga KFOR-i. Ai tha se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga SHBA-ja.

Të mërkurën, Escobari bashkë me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Sebi, Mirosllav Lajçak, kanë takuar në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Emisari evropian tha pas takimit se preferon rrugën diplomatike për heqjen e barrikadave në veri, dhe jo përmes buldozerëve.

(Kosova Sot Online)