Ku po mbahet saktësisht Dejan Pantiq!

  • A.P /
  • 14 December 2022 - 17:58
Ku po mbahet saktësisht Dejan Pantiq!

Se ku po mbahet Dejan Pantiq, i arrestuar nën dyshimet për sulm terrorist, autoritetet e Kosovës nuk tregojnë saktësisht,  transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Raportohet se Policia nuk ka arritur ta çojë në qendër të paraburgimit, për shkak të barrikadave dhe ai po mbahet në Jarinje, aty ku është arrestuar, nga policët që po ashtu kanë mbetur të ngujuar në pikat kufitare.

Dejan Pantiq është një ish-polic i Kosovës, që është arrestuar nën dyshimet për organizimin e sulmit ndaj pjesëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe të Policisë, në veri të Mitrovicës, më 6 dhjetor.

Arrestimi i tij u përdor si arsyetim barrikadimin e rrugëve të veriut, që çojnë në dy pikat kufitare, në Jarinjë dhe në Bërnjak.


Për Serbinë, Pantiq është një qytetar i pafajshëm i kapur pa arsye nga autoritetet e Kosovës. Nën dyshimet për organizim të “sulmit terrorist”, atij i është caktuar masa e paraburgimit një muaj nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Departmenti Special.

Por, Pantiq nuk ishte fizikisht në gjykatë kur iu caktua kjo masë dhe ai nuk është në qendër të paraburgimit.

Thuhet se ai është matanë barrikadave dhe se Policia e Kosovës nuk ka arritur ta bart nga stacioni i improvizuar afër Jarinjes.

(Kosova Sot Online)