Vuçiq do të vendos sonte: Në mbledhjen e Qeverisë së do të kërkohet kthimi i ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë

  • S.A /
  • 15 December 2022 - 13:07
Vuçiq do të vendos sonte: Në mbledhjen e Qeverisë së  do të kërkohet kthimi i ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë

Sipas raportimit nga mediet serbe, qeveria e Serbisë do të mbajë sonte një mbledhje, duke filluar nga ora 20:00, dhe në këtë mbledhje pritet që Serbia zyrtarisht të miratojë kërkesën e Beogradit, për të vendosur kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, transmeton "Kosova Sot Online".

Kjo sipas mediave serbe pritet që të ndodhë sonte dhe se i pranishëm në këtë mbledhje do të jetë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Ndër të tjerash në këtë kërkesë theksohet se “obligohet KFOR-i që të mundësojë kthimin e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës”.

Kjo kërkesë e serbëve e bërë të ditur ditë më parë nxiti reagime të shumta.

Deklarime në lidhje me këtë pati edhe nga shtetet e huaja.

SHBA-ja nuk pajtohet me dërgimin e forcave serbe në Kosovë. I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në prag të takimit me Vuçiqin, tha se SHBA-ja është kategorike kundër kthimit të forcave serbe në Kosovë.

Edhe pas takimit me Vuçiqin, ai përsëriti se SHBA-ja “refuzon kategorikisht kthimin e Ushtrisë serbe në veri të Kosovës” , transmeton "Kosova Sot ONline".

“Ne nuk duhet ta militarizojmë këtë krizë. Ky nuk është momenti për të përdorur ushtrinë, ky është momenti për të përdorur diplomacinë, dialogun dhe kompromisin, si dhe imagjinatën, për të imagjinuar se çfarë sjell e ardhmja e rajonit”, tha Escobari.

As Gjermania nuk e përkrah dërgimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se kthimi i ushtrisë serbe në Kosovë është i papranueshëm.

E njëjta tha se Kosova i uli tensionet suke vendosur t’i shtyjë zgjedhjet në komunat veriore, ndërsa shtoi se “retorika e fundit e Serbisë” po e bën të kundërtën.

Kundër kësaj ideje kanë dalë edhe institucionet e Kosovës, të cilat këtë retorikë nga ana e Serbisë e kanë konsideruar si luftënxitëse.

Çka thotë Rezoluta 1244 për çështjen e kthimit të forcave serbe në Kosovë?

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

“Pas tërheqjes, një numri të caktuar të personelit serb dhe jugosllav do t’i lejohet kthimi në Kosovë për t’i kryer funksionet e mëposhtme:

– Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë;

– Shënjimi/pastrimi i fushave të minuara;

– Mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe;

– Mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”, shkruan në aneksin 2 të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së për Kosovën.

(Kosova Sot Online )