Albin Kurti tha se marrëveshja me Serbinë është çështje muajsh, kjo e fundit po kërkon dërgimin e ushtrisë në Kosovë

  • E.K /
  • 16 December 2022 - 08:00
Albin Kurti tha se marrëveshja me Serbinë është çështje muajsh, kjo e fundit po kërkon dërgimin e ushtrisë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është ende në pritje të KFOR-it për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se barrikadat në veri të Kosovës, qytetarët serbë i dëmtojnë më së shumti.

“Barrikadat në veri nuk janë shprehje fuqie, por pafuqie. Ato barrikada duhet të hiqen. Ne i kemi dhënë disa kohë KFOR-it që t’i heqë. Ministri i Brendshëm është në kontakt të vazhdueshëm edhe me KFOR-in dhe me EULEX-in që të hiqen këto barrikada që nuk janë civile, por janë të grupeve kriminale të armatosura, krerët e të cilëve kanë fletë-arreste nga Republika e Kosovës dhe ndodhen në listën e zezë të Thesarit amerikan. Sa më parë që të hiqen, do të jetë më mirë për Kosovën, por edhe për qytetarët serbë”, tha Kurti për A2 CNN.

Kurti ka thënë se është kryeministër i të gjithëve pa dallim etnie apo feje.

“Serbët nuk mund të lejojnë që të përdoren si instrument nga Beogradi për aspirata hegjemonike dhe nga ana tjetër, te qeveria e Kosovës, ata kanë garancinë e të drejtave të tyre dhe veshin që dëgjon të gjitha kërkesat që ata mund të kenë. Unë nuk jam kryeministër vetëm i shqiptarëve, unë jam i të gjithë qytetarëve të republikës, pa dallim etnie, moshe, gjinie dhe feje. Por, nuk mund ta kompensojmë Beogradin për humbjet që ia ka shkaktuar Millosheviçi me politikën e tij gjenocidale”.

Ai ka thënë se nuk është e mundur që situata të kthehet si para çlirimit të Kosovës në vitin 1998 apo 1999.

“Nganjëherë dëshirojnë të kthehen para shpalljes së pavarësisë në vitin 2007, nganjëherë dëshirojnë të kthehen para çlirimit të Kosovës në vitin 1998 apo 1999. Asnjë prej këtyre nuk është e mundur. Sa më parë që të ndërgjegjësohen për këtë gjë, aq më mirë do të jetë për vetë ata mbi të gjitha. Kjo histeria në Beograd duhet të marrë fund dhe të kemi kështu një normalizim politik e shoqëror ndërmjet dy shteteve”, shtoi Kurti.

Sipas tij, një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet brenda pak muajsh.

“Me mirëbesim në njërën anë dhe qëllim të mirë nga ana tjetër, pak muaj nevojiten për një marrëveshje. Besoj se nuk duhen vite, por pak muaj. Duhet një përfshirje sa më e madhe e Brukselit dhe Uashingtonit, në veçanti karshi Beogradit, që fatkeqësisht nuk po distancohet as nga Millosheviçi dhe as nga Putini”, deklaroi Kurti.

Ndërkohë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se në mbrëmjen e 15 dhjetorit, Qeveria e Serbisë do t’i dërgojë KFOR-it një kërkesë elektronike për të kthyer një numër të caktuar të pjesëtarëve të policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë.

Vuçiq ka bërë të ditur se më 16 dhjetor ajo kërkesë do t’i dorëzohet përfaqësuesit të KFOR-it në kufirin me Kosovën. Reklama Remaining Time -0:00

Sipas mediave serbe, pas mbledhjes së Qeverisë së Serbisë, Vuçiq tha se vendimi është marrë unanimisht.

“Vendimi është marrë unanimisht dhe është respektim i së drejtës publike dhe është i rëndësishëm për mbrojtjen e popullatës dhe për kontrollin e pikave kufitare. Ne jemi pothuajse të sigurt që nuk do të pranohet, por presim ta marrim letrën”, theksoi Vuçiq.

Beogradi zyrtar i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSB) të vitit 1999.

Vuçiq pati thënë ditë më parë se e di që një kërkesë e tillë megjithatë s’do të pranohet. Kërkesa e Serbisë vjen pak ditë pas nisjes së tensioneve në veri të Kosovës dhe në ditën kur Kosova aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiq ka thënë se e ka të qartë që kërkesa do të refuzohet.

KFOR-i nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar hapin e Serbisë.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

Ai ka deklaruar po ashtu se SHBA-ja e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë. 

(Kosova Sot Online)