Bajqinovci: KFOR-i nuk duhet të kalkulojë interesat politike në dëm të paqes, stabilitetit, ligjshmërisë

  • E.K /
  • 17 December 2022 - 12:43
Bajqinovci: KFOR-i nuk duhet të kalkulojë interesat politike në dëm të paqes, stabilitetit, ligjshmërisë

Deputeti i VV -së, Mefail Bajqinovci, ka reaguar rreth gjendjes dhe zhvillimeve të fundit në veri të vendit, pasi KFOR-i ka thënë se po shqyrton mundësinë e dislokimit të 1000 trupave të ushtrisë së Serbisë, raporton "Kosova Sot Online".

Bajqinovci ka thënë se Qeveria e Kosovës, çdo ditë e më shumë po e sfidon krimin e organizuar në veri.

Tutje, deputeti i VV -së ka shkruar se KFOR - i nuk duhet në vazhdimësi të kalkulojnë interesat politike në dëm të paqes, stabilitetit.

Reagimi i plotë:

Shteti i Kosovës nën drejtimin e kryeministrit Kurti, paralelisht ka treguar vendosmëri në vënien e rendit dhe ligjit në veri e poashtu edhe në thellimin e bashkëpunimit me partnerë e aleatë tanë perëndimor në procesin politik, diplomatik dhe të sigurisë.

Kjo qasje e ka favorizuar pozicionin e Kosovës në nisma rajonale, euro-integruese dhe ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës, çdo ditë e më shumë po e sfidon krimin e organizuar në veri. Dhe atë, si në planin diplomatik poashtu edhe në terren.

Misioni i KFOR-it dhe EULEX-it, kanë kërkuar prezencen dhe rolin e tyre në menaxhimin e çështjes së largimit të barrikadave nga Qeveria dhe deri më sot, ne shohim një lloj neglizhence nga ana e tyre që inkurajon grupet kriminale sponsorizuese të vendosjes së barrikadave e që direkt cenojnë të drejtën kushtetuese të lëvisjes së lirë.

Kosova është shtet i pavarur i njohur gjerësisht dhe i konfirmuar në të drejtën e tij edhe nga GJND dhe si i tillë, nuk mundet që në vazhdimësi t'i kërkohen obligime në shërbim të paqes e në anën tjetër të mos i njihen të drejta të saj që kanë qëllim vendosje të rendit dhe ligjit pozitiv.

KFOR si mision ndërkombëtarë gëzon besimin e popullit dhe shtetit të Kosovës, ndaj nuk duhet në vazhdimësi të kalkulojnë interesat politike në dëm të paqes, stabilitetit, ligjshmërisë dhe rendit zyrtar që aktualisht zbatohet në një shtet sovran dhe të pavarur.

(Kosova Sot Online)