Kosova e Serbia në kërkim të dronëve Bayraktar

  • A.P /
  • 21 December 2022 - 16:20
Kosova e Serbia në kërkim të dronëve Bayraktar

Për mbrojtjen e vendit,  Kosova dëshiron të blejë dronë ushtarakë nga Turqia dhe kjo natyrisht e ka alarmuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Shqipëria arriti t’i blejë tre dronë të shumëkërkuar “Bayraktar”, pasi kryeministri Edi Rama tha se “nuk jetojmë në kohë të sigurta”.

Dronët Bayraktar janë bërë element kyç në luftën në Ukrainë. Nga ky vit do të mbahen në mend pamjet kur kolonat e automjeteve ushtarake ruse shkrumboheshin me një komandë pasi përmbi to mbërrinte një Bayraktar.

Shumë shtete tashmë po presin në rend për t’i blerë këta dronë. Ata tashmë janë simboli i ngritjes së Turqisë në skenën ndërkombëtare. Ata i do edhe Kosova.


Ministri i Zhvillimit Rajonal në Qeverinë e Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke, Fikrim Damka, tha të martën në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve Anadolu se Kosova po punon për t’i blerë dronët ushtarakë Bayraktar nga Turqia.

“Sigurisht që çështja e dronëve me armë është edhe në agjendën tonë. Lidhur me këtë shteti ynë zhvillon punime çdoherë. Janë realizuar vizita. Presidentja jonë [Vjosa Osmani] dhe ministri i Mbrojtjes [Armend Mehaj] i kanë vizituar dronët Bayraktar në vend. Ky është proces afatgjatë. Çdo shtet dëshiron t’i ketë dronët në shtëpi, në magazinën e arsenalit të tij ushtarak”, ka thënë Damka.

Ndonëse Damka tha se çdo blerje e armëve “do të përdoret vetëm për mbrojtjen e vendit”, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka nxituar t’i reagojë Turqisë në lidhje me këtë, siç bën gjithmonë kur një shtet afrohet të komunikojë me Kosovën për diçka të rëndësishme.

“Kur turqit thonë se do t’ia japin ‘Bayraktarin’ Prishtinës, ky nuk është lajm as i këndshëm dhe as i mirë për ne dhe do të ketë pasoja në marrëdhëniet tona me Turqinë. Ne e respektojmë presidentin Erdogan, por kjo pa dyshim që do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve”, tha Vuçiq për televizionin serb “Pink” nga Azerbajxhani, ku shkoi për një vizitë zyrtare.

Presidenti serb i do vetë këta dronë. Në fillim të shtatorit ai u pa shumë i lumtur në një konferencë të përbashkët për media me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në Beograd, ku njoftonte se Serbia do të blinte dronë Bayraktar T2B.

“Jemi në pritje dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm të arrijmë ta realizojmë. Jemi gati t’i japim disa qindra miliona për dronët Bayraktar”, shprehej Vuçiq, duke konstatuar se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Serbisë “janë ngritur në nivelin më të lartë”.

Ndërkohë që të martën ndodhi kjo përplasje për dronët e Turqisë, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje për blerjen e tyre.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes tha se ajo u arrit falë partneritetit strategjik me Turqinë dhe e falëndroi preisdentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Rama tha se dronët do t’i përdorin edhe për misione ushtarake, por edhe policore e civile.

“Tre dronët që do të vijnë të parët do të jenë plotësisht të armatosur dhe të gatshëm për çdo rast dhe shpresoj që të mos ndodhë kurrë, por nuk jetojmë në kohë të sigurta. Kur siguria jonë kombëtare të jetë në kërcënim, do të jemi gati për luftë”, tha ai.

Në shtator Rama kishte thënë se do t’i merrnin gjashtë dronë të tillë, ndërsa dje deklaroi se fillimisht do t’i marrin tre. Për çmimin nuk dihet gjë, por Rama pati folur për “çmim të leverdishëm”, pa përmendur shifra, kur pati treguar për interesimin e Shqipërisë për dronët Bayraktar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Turqi më 26 shkurt të këtij viti e kishte shfrytëzuar rastin për ta vizituar fabrikën e prodhimit të dronëve Bayraktar.

(Kosova Sot Online)