Sulmet kibernetike nga Irani/ Gjykata e Apelit heq masat e sigurisë ndaj 5 punonjësve të Ministrisë së Brendshme

  • E.K /
  • 22 December 2022 - 14:53
Sulmet kibernetike nga Irani/ Gjykata e Apelit heq masat e sigurisë ndaj 5 punonjësve të Ministrisë së Brendshme

Gjykata e Apelit në Tiranë ka hequr masat e sigurisë për pesë punonjësit e IT-së, nga Ministria e Brendshme dhe Departamenti i Administratës Publike që akuzohen për shpërdorim detyre, në rastin e sulmeve kibernetike.

Per ta ishte caktuar masa “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

Më 15 korrik të këtij viti vendi yne ra pre e sulmeve kibernetike, që bllokoi të gjitha faqet zyrtare shtetërore.

Ndërkohë, më 14 shtator u sulmua sistemi TIMS në të gjitha pikat kufitare të vendit. Për këto sulme Shqipëria ka fajësuar Iranin dhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.

“Referuar raportimeve te mëparshme ne media, lidhur me procedimin penal për sulmin kibernetik në pajisjet dhe sistemet që administrohen e menaxhohen nga AKSHI, mbi kërkesat e prokurorit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar ndaj personave nën hetim Znj. A. S., Z. I. L., Znj. R. Ll., Z. A. S. masën e sigurimit personal “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, si të dyshuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”

Mbi ankimet e personave nën hetim të sipërcituar, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga gjyqtari Z. Genti Shala, me vendimet respektive të datës 22.12.2022, vendosi të shfuqizojë vendimet e marra nga gjykata e shkallës së parë për caktimin e masës së sigurimit”, thuhet në njoftimin e gjykatës

(Kosova Sot Online)