Kontrollet për Ervis Martinajn/ Automatikë, 7 mijë fishekë si dhe eksplozivë, çfarë gjeti policia në shtëpinë e “kumbarit” të lojrave të fatit

  • E.K /
  • 26 December 2022 - 15:45
Kontrollet për Ervis Martinajn/ Automatikë, 7 mijë fishekë si dhe eksplozivë, çfarë gjeti policia në shtëpinë e “kumbarit” të lojrave të fatit

Një arsenal armësh është gjetur nga policia gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj në zonën e Fushë-Kuqes.

Në njoftimin zyrtar për mediat, policia bëri me dije se nga kontrollet e ushtruara gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri automatike, 1 silenciator, 7 mijë fishekë luftarakë, 85 predha eksplozive dhe 1 thikë bajonetë.

Gjithashtu janë gjetur edhe disa materiale dhe veshje policie si uniforma, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radiomarrëse dhe fenelina policie.

Njoftimi i policisë së shtetit:

Kontrolle të befasishme në 3 banesa dhe në disa ambiente, në Fushë Kuqe.

Kontrollet, në kuadër të hetimeve në funksion të dy procedimeve penale “Plumbi i artë” dhe “Rrëmbim personi”.

Kontrollet, të mbështetura nga Forcat e Lëvizshme Operacionale të Policisë së Shtetit, FNSH dhe RENEA.

Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 silenciator, mijëra municione luftarake, radio, fenelina, uniforma policie, maska dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Mëngjesin e sotëm, shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, mbi bazën e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, regjistruar në SPAK, për vepra të rënda penale të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, ushtruan kontroll në banesat e shtetasve: E. M., F. M. dhe R. M.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në koshere bletësh dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, sendet e mëposhtme:

• 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.

Gjatë kontrollit nuk janë gjetur vlera monetare.

Provat materiale do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.

vijon…

(Kosova Sot Online)