Vuçiq rikujton tensionet në veri të Kosovës: Pa garancitë e SHBA-BE do të kishim pasur një fatkeqësi me NATO-n

  • S.A /
  • 02 January 2023 - 09:09
Vuçiq rikujton tensionet në veri të Kosovës: Pa garancitë e SHBA-BE do të kishim pasur një fatkeqësi me NATO-n

Vuçiq: Pa garancitë e SHBA-BE do të kishim pasur një fatkeqësi me NATO-n

Serbia ka qenë në prag të një fatkeqësie me NATO-n për shkak të tensioneve në veri të Kosovës. Këtë e konfirmoi vetë presidenti Aleksandër Vuçiq, i cili bisedoi së fundmi me përfaqësuesit europianë për t’u thënë që të bëjnë kujdes në përmbushjen e garancive të dhëna për heqjen e barrikadave.

Sipas tij, situata në veri të Kosovës është më e rrezikshme dhe më e vështirë nga se mendojnë ndërkombëtarët. “Do të kishim pasur një fatkeqësi me NATO-n, por ia dolëm ta shmangnim atë në këtë moment. Populli serb është i vendosur të mos lejojë më terrorin”.

Ndër garancitë që, sipas tij, duhet të respektohen është edhe fakti që policia e Kosovës nuk mund të shkojë më në veri pa pëlqimin e serbëve lokalë atje. Një përgjigje dha edhe ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama, që kritikoi qëndrimin se barrikadat në veri të Kosovës ishin mjet paqësor proteste.

“Ne mendojmë ndryshe për Kosovën. Më duket interesante se sa cinike ishte vërejtja e tij. Ju kujtohet se ka pasur konflikte, kështu që kanë vrarë policë, edhe kur vret dikë, nuk je vrasës, por merr amnisti dhe bëhesh krah politik. Askush nuk vrau njeri këtu, njerëzit shprehën protestën e tyre. Pse ata që shprehën në mënyrë paqësore vullnetin e tyre nuk duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë? Çfarë sulmi ndaj EULEX-it me bombë shokuese po thoni? Fëmijët 16-vjeçarë që shkojnë në stadium qeshin me të”.

Ndër të tjera, presidenti serb përsëriti frazën e përhershme se pret një periudhë të vështirë për Kosovën në muajt e ardhshëm. Vuçiç konfirmoi se përfaqësuesit ndërkombëtarë do të zbarkojnë në Beograd në gjysmën e parë të janarit, siç tha ai “njerëz të mëdhenj nga bota do të vijnë për të kërkuar arritjen e një marrëveshje për normalizimin e raporteve me Kosovën”

Duke komentuar propozimin franko-gjerman, ai bëri të ditur se në Bruksel nuk do të shkojë për biseda serioze me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Vuçiç shtoi ndër të tjera se gjatë negociatave nuk ka arritur askush “që t’i thyejë as gishtin e vogël të dorës së majtë, e lërë më shpinën”.

(Kosova Sot Online )