Ja sa minatorë të Kosovës hyjnë në grevë

  • A.P /
  • 10 January 2023 - 15:29
Ja sa minatorë të Kosovës hyjnë në grevë

Që nga mëngjesi i kësaj të marte mbi 150 minatorë të minierës së Kishnicës kanë hyrë në grevë pasi duan nivelizim të pagave sikur minatorët e Trepçës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Minatori Albert Zymberi tha se greva e nisur në mëngjes do të vazhdojë deri në ora 15:30 kur edhe përfundon puna, për të vazhduar sërish ditët në vijim.

“Mbi 150 minatorë nga sot në ora 08:00 kemi hyrë në grevë deri në ora 15:30 për të vazhduar njësoj edhe ditët në vijim. Nivelizimi i pagave sikur minatorëve të Trepçës na u është premtuar nga 1 janari dhe nuk u realizua. Kjo u bë shkak për fillimin e grevës”.

“Ne jemi duke qënduar nëpër vendet e punës por jemi në grevë”, tha ai.

Tutje, ai tha se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesa të minatorëve dhe se nivelizimi i pagave s’është kërkesa e vetme.

Zymberi, mes tjerash, tha se edhe ndalesa e parave për shujtën ditore u bë shkak për grevë, pasi sipas tij marrëveshja ishte ndryshe.

“Pos nivelizimi të pagave premtim nga menaxhmenti ka qenë edhe hapja e menzës, por tashmë ka filluar ndalimi i 90 eurove nga paga për shujtat teksa marrëveshja ishte që paratë për ushqim të mos ndalen nga pagat”, tha Zymberi.

(Kosova Sot Online)