Kush i zhduku mostrat e Astrit Deharit!

  • A.P /
  • 17 January 2023 - 17:25
Kush i zhduku mostrat e Astrit Deharit!

Nga dita kur Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, mbi një muaj kanë kaluar.


Përveç pezullimit të katër zyrtarëve të këtij instituti e një dorëheqje, duket se ende s’ka ndonjë të re për këtë rast. Nga Prokuroria Speciale kanë zgjedhur të heshtin për atë nëse ka ndonjë zhvillim rreth këtij rasti.

Më 8 dhjetor të vitit të kaluar, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu shokoi opinionin në një konferencë për media, kur njoftoi se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Këto mostra po ruheshin në Laboratorin e Toksikologjisë, që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Një ditë para se Haxhiu të dilte në konferencë për media, rastin në Polici e kishte raportuar një zyrtare e Laboratorit të Mjekësisë Ligjore.

Në raportin 24 orësh të Policisë, rasti ishte cilësuar si “Manipulim me prova”.


“MANIPULIM ME PROVA- Prishtinë, Tetor 2021-07.12.2022  Dëshmitarja femër kosovare zyrtare e Laboratorit të Mjekësisë Ligjore ka  raportuar se gjatë seleksionimit, klasifikimit dhe bartjes së mostrave, kanë vërejtur se mungojnë disa mostra biologjike të një rasti. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, rasti vazhdon të hetohet nga njësitë kompetente”, thuhej në raport.

Nga ky rast, tash janë bërë më shumë se një muaj. Përveç reagimeve që u bënë gjatë atyre dy ditëve, më s’është se dikush ka dhënë ndonjë informatë të re për këtë rast.


Në konferencën kur kishte njoftuar për këtë rast, Haxhiu e kishte quajtur këtë akt të rëndë dhe kriminal.

“Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë, ky është një akt kriminal. E kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit Besim Kelmendin dhe drejtorin e policisë Fehmi Hotin. Kam vizituar IML-në”, kishte thënë Haxhiu.

Ministrja kishte treguar edhe se në atë hapësirë të IML’së kishin qasje vetëm tre persona, derisa ishte zotuar se autorët që kanë zhdukur mostrat nga laboratori i IML-së, do të gjinden dhe se rasti do të zbardhet.

“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe 1 epruvetë e lukthit. Nga kjo dy epruveta ia kanë dhënë Institutit Zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, 1 e urinës dhe 1 e lukthit. Në vendin ku rrinë epruvetat kanë qasje vetëm 3 persona, pra vetëm 3 persona i kanë çelësat ku ruhen mostrat”, tha Haxhiu.

(Kosova Sot Online)