Armë, jelek antiplumb, makina, para e dylbi, çfarë u seksuestrua nga operacioni i SPAK ditën e sotme

  • E.k /
  • 20 January 2023 - 13:07
Armë, jelek antiplumb, makina, para e dylbi, çfarë u seksuestrua nga operacioni i SPAK ditën e sotme

3 vite pas ngjarjes së rëndë që ndodhi më 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit, ku u tentua të ekzekutohej prokurori Arjan Ndoja, bashkë me Landi Muharremin i njohur si "Rrumi" i Shijakut, sot Prokuroria e Posaçme ka arritur të zbardhë ngjarjen e plotë, përfshirë me porositësit dhe realizuesit e atentatit. Një operacion i koduar "Komploti" ka vënë në pranga 5 persona, të identifikuar si Bashkim Haxhija, Julian Meçe, Akil Nerjaku dhe Marsel Deçka. Gjatë kontrolleve të zhvilluara në disa qytete si Tirana, Fushë-Kruja dhe Durrësi, policia dhe RENEA kanë kontrolluar 11 banesa, ku është zbuluar një "bazë" e mirëfilltë me sende policie, ku nuk mungonin dylbitë me rreze të largët për të vëzhguar shënjestrat e atentateve apo jelekët antiplumb. Janë sekuestruar edhe 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme.

NJOFTIMI I PLOTE I POLICISE:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Komploti”, për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të një ngjarjeje të rëndë kriminale, të ndodhur në vitin 2019. Operacioni u zhvillua në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë. Operacioni, nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special Renea, nën koordinimin e SPAK-ut. Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 5 shtetas. Shpallen në kërkim 4 shtetas të tjerë.

Sekuestrohen 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme.

Gjatë këtij operacioni, u zhvilluan kontrolle në 11 banesa, në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë.

Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të një ngjarjeje të rëndë kriminale, të ndodhur në datën 1 nëntor 2019, në Shkozet, Durrës, bazuar në provat e siguruara, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special Renea, ka organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Komploti“.

Ad

Gjatë këtij operacioni janë ekezkutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasit:

B. H., 54 vjeç, M. D., 38 vjeç dhe G. N. alias K. N., 40 vjeç, të tre banues në Durrës;
E. S., 29 vjeç dhe J. P., 45 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Ad

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim 4 shtetas të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë me 5 shtetasit e arrestuar. Vijon puna për kapjen e tyre.

Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë (ndaj shtetasit A. N.), “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” (me pasojë vdekjen e shtetasit A. M. dhe mbetur në tentativë ndaj shtetasit A. L.), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.