Agjenda e plotë e pesëshes negociatore në Kosovë dhe Serbi, krejtë çka thanë Lajçak, Kurti e Vuçiq

  • 21 January 2023 - 08:48
Agjenda e plotë e pesëshes negociatore në Kosovë dhe Serbi, krejtë çka thanë Lajçak, Kurti e Vuçiq

Pas takimeve që zhvilloi të premten pesëshja e negociatorëve ndërkombëtarë në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak u nda me përshtypje e disponim të ndryshëm, përcjell "Kosova Sot Online".

Menjëherë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Lajçak tha se nga Kurti kanë pritur më shumë mirëkuptim për mundësitë që ofron propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse siç e dini, ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por, dua të them se, megjithatë në këtë pikë, ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha Lajçak, pas takimit me Kurtin, raporton Telegrafi.

Ndërsa, pas takimit me presidentin serb Vuçiq, Lajçak tha se ai “tregoi qasje të përgjegjshme dhe vullnet për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane të Serbisë”.

“Kemi pasur një diskutim intensiv, të vështirë, por edhe të hapur, dhe ndihemi të inkurajuar nga rezultati”, tha Lajçak.“Për nLexo po ashtu:

e, zbatimi në kohë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është element kyç për stabilitet dhe jemi të bindur se plani që kemi paraqitur në shtator, dhe që diskutuam sot, është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si dhe integrimin e rajonit”, tha ai.

Për takimin e sotëm me emisarët ndërkombëtarë kryeministri Kurti nuk është deklaruar për media. Ai është mjaftuar me një komunikatë, në të cilën thuhet se “për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilën kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”.

Qeveria tregon çfarë bisedoi Kurti me pesëshen e diplomatëve ndërkombëtarë, nuk përmendet Asociacini

Sipas komunikatës, Kurti i ka falënderuar të gjithë emisarët dhe vendet e tyre për përkushtimin dhe angazhimin në procesin e dialogut si dhe rrugën përpara, duke shprehur gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit.

Për dallim nga Kurti, presidenti serb Vuçiq, pas takimit ka dalë para gazetarëve për të treguar se çfarë ka biseduar me emisarët ndërkombëtarë në dialog.

Ai tha se “sot ka qenë bisedë shumë e vështirë, ndoshta biseda më e vështirë që kemi pasur”.

“Ajo për të cilën jemi dakord është se një konflikt i ngrirë nuk është zgjidhje dhe se kur keni një konflikt të ngrirë, është vetëm çështje kohe kur dikush do ta shkrijë atë dhe individë të papërgjegjshëm do të rrëzojnë paqen dhe stabilitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor”, tha ai, raporton Telegrafi.

Vuçiq tha se “ai ishte përballur pa mëdyshje me problemet dhe sfidat që do t’i viheshin shtetit tonë nëse nuk pajtoheshim me planin e propozuar”.

“Në këto dhe këto kushte, kërkuam nga ‘katër plus Lajçak’ që të na ndihmojnë të gjithëve për të kapërcyer turbulencat me të cilat po ballafaqohemi në Kosovë dhe besojmë se është koha për të formuar Asociacionin, i cili jo vetëm u premtua, por edhe nënshkruar para 10 vjetësh. Dhe kjo është një çështje urgjente, sepse vetëm pas kësaj është e mundur biseda dhe kthimi në institucione dhe çdo lloj normalizimi i situatës”, tha Vuçiq.

Ndërsa, pas takimeve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Lajçak përmes një postimi në Twitter tha se planifikon që së shpejti t’i vazhdojnë bisedimet.

“Së bashku me këshilltarët e politikës së jashtme të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe atë amerikan Escobari, kam udhëtuar sot në Kosovë dhe Serbi për të diskutuar hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre bazuar në propozimin tonë”, ka shkruar Laçak në Twitter.

“Kjo gjithashtu nënkupton zbatimin e plotë të të gjitha Marrëveshjeve. Kam në plan të vazhdojmë bisedimet tona së shpejti”, ka shkruar ai.

Propozimi i BE-së apo plani franko-gjerman, iu dorëzua autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd në fund të verës dhe mbështetet nga Franca, Gjermania dhe SHBA-ja.

Zyrtarët në Prishtinë kanë thënë se ky propozim paraqet një bazë të mirë për të vazhduar dialogun me Serbinë, ndërsa ata në Beograd kanë thënë se nuk është i favorshëm për ta.

Plani parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë, por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

(Kosova Sot Online )