
A u plagos një serb nga konfrontimi me Policinë në Leposaviq?

Në Bistricë të Leposaviqit, një njësi policore që po kryente kontroll ka qenë cak i një sulmi nga një veturë, e cila ka goditur automjetin e Policisë, ka njoftuar Policia e Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Njësia policore e cila ka qenë në pikë kontrolli, gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”, u tha në njoftimin e Policisë.
E ashtuquajtura “Zyrë për Kosovën” e qeverisë serbe, thotë se Policia ka plagosur njërin nga dy serbët që ishte në veturë. I plagosuri, sipas tyre, është dërguar në spitalin e Kralevës.
Siç ka raportuar televizioni publik serb, të cilin e citon mediumi Kossev, i plagosuri nuk është në rrezik për jetë.
(Kosova Sot Online)