Bajqinovci: Nëse dështon zgjedhja e Presidentit faji dhe turpi do të jetë i opozitës

  • A.P /
  • 14 April 2026 - 13:05
Bajqinovci: Nëse dështon zgjedhja e Presidentit faji dhe turpi do të jetë i opozitës

Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, tha se nëse dështon zgjedhja e Presidentit “faji dhe turpi” do të jetë i opozitës.

Duke u përpjekur t’ia lë fajin opozitës, ai po ashtu përdori frazën “nëse opozita na çon në zgjedhje”, ndërsa nuk dha ndonjë përgjigje mbi përgjegjësinë e Vetëvendosjes për të dalë nga kjo situatë si grupi më i madh parlamentar në Kuvend. Këtu ai përmendi ftesat e shefit të tij, Albin Kurti, për takime me partitë opozitare dhe kërkesat për dërgim të emrave.

Sidoqoftë, Lëvizja Vetëvendosje s’ka lëvizur nga propozimet e saj për President, dy anëtarët e saj, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

“Opozita duhet të reflektojë dhe jo vetëm të shkojë në takime, por edhe të ketë dëshirë të bëjë zgjidhje. E në këtë rast zgjidhja është të bëhet presidenti i Kosovës”.

Ai tha se opozita duhet të ketë “dëshirë” dhe jo të bëjë deklarata që “ne duhet të shkojmë në zgjedhje”.

(Kosova Sot Online)