Lajçak vjen sërish sonte në Prishtinë

  • A.P /
  • 25 January 2023 - 16:37
Lajçak vjen sërish sonte në Prishtinë

Mbrëmjen e 25 janarit pritet të qëndrojë në Prishtinë, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Për këtë vizitë ende nuk ka detaje të hollësishme, por diplomatët në Bruksel pohojnë se edhe këtë vizitë duhet parë si vazhdim të përpjekjeve dinamike për të bindur palët që të pranojnë propozimin evropian për marrëveshjen bazë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga Qeveria e Kosovës ende nuk e kanë konfirmuar vizitën e Lajçakut në Kosovë.

Lajçak, por edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, publikisht kanë mirëpritur qëndrimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sa i përket propozimit evropian, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman. Kjo gjë lë përshtypjen se tani duhet të punohet më shumë edhe me përfaqësuesit e Kosovës.

(Kosova Sot Online)