A i kushtoi karrierën Gledis Nanos ky takim në SHBA me drejtorin e FBI?

  • E.K /
  • 27 January 2023 - 10:12
A i kushtoi karrierën Gledis Nanos ky takim në SHBA me drejtorin e FBI?

Në qershor të vitit të kaluar, Gledis Nano u bë i parti zyrtar i Policisë së Shtetit që do takohej me një drejtor të FBI-së. Lajmi i bujshëm i takimit mes Gledis Nanos dhe drejtorit të FBI, Christopher Wray u pasqyrua edhe në mediat e huaja.

Kurse vetë FBI, njoftoi se “partneriteti mes dy agjencive tona do të ndihmojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri”.

Para disa kohësh një takim me drejtorin e FBI-së e ishte tentuar edhe ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, por nuk ia arritën dot të zhvillonin një takim kaq të rëndësishëm.

Pas kthimit në Shqipëri, Nano paralajmëroi se do të kishte një ‘tërmet’, por pa dhënë informacione specifike.

“Më gjatë nuk preferoj të flas për detaje të takimit pasi i përkasin punës policore, që nuk është e nevojshme për ta bërë publike. U bisedua për çështje konkrete, të cilat janë shumë sensitive dhe në fazë hetimi,” deklaroi Nano.

Por karriera e tij nuk zgjati shumë dhe disa ditë më vonë, kryeministri Edi Rama vendosi ta largojë nga posti, me një lëvizje që habiti jo vetëm opinionin publik, por edhe partnerët amerikanë.

Burimet thonë se Nano i kishte bërë të qartë kryeministrit Edi Rama se ka rënë në përgjimet e inceneratorëve gjatë kohës që përgjohej deputeti i tij, sot në burg, Lefter Koka. Gjithashtu Nano mendohet se ka bërë edhe një raport përvëlues në këto takime për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Por mbi të gjitha, mendohet se në qendër të diskutimeve kanë qenë takimet sekrete të Edi Ramës me ish-zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal, në prani të personave që si biznes kryesor kanë korruptimin e zyrtarëve të huaj.

Skandali i shpërthyer së fundmi është vetëm një kujtesë se karriera e Gledis Nanos është sakrifikuar nga Edi Rama pasi e kuptoi se amerikanët i ishin vënë pas seriozisht.

Pak pas shkarkimit të Nanos, u mësua se emri i Ramës ishte vënë nën hetim nga një juri e madhe amerikane.

(Kosova Sot Online)