Afera Rama-McGonigal/ Media e madhe amerikane: Hetimi nisi në 2019-ën, kjo është çështje më e madhe se FBI-ja

  • E.K /
  • 08 February 2023 - 14:07
Afera Rama-McGonigal/ Media e madhe amerikane: Hetimi nisi në 2019-ën, kjo është çështje më e madhe se FBI-ja

Një nga mediat më të mëdha dhe më të rëndësishme jo vetëm në SHBA, Business Insider, sjell të tjera të dhëna tronditëse për skandalin mes Edi Ramës dhe Charles McGonigal.

Sipas saj, skandali mes tij dhe Edi Ramës, kryeministrit shqiptar, është një rast klasik i shkëmbimit të favoreve korruptive.

Por portali paralajmëron se gjërat do bëhen më keq.

“Çështja McGonigal është që tani një imazh i keq për ata që janë të ngarkuar me ruajtjen e sekreteve amerikane; ka mundësi që të përkeqësohet më shumë. McGonigal nuk u akuzua për spiunazh, dhe megjithëse aktualisht nuk ka asnjë provë që McGonigal ka kryer spiunazh, një burim i FBI tha për Insider se hetimi është në vazhdim.

Një person i dytë, i njohur me hetimin, tha se divizioni i kundërzbulimit të FBI-së dukej i sigurt se çështja McGonigal ka të bëjë me korrupsionin dhe asgjë më shumë. Fakti që prokurorët ranë dakord të lironin McGonigal me një garanci prej 500 mijë dollarësh, sugjeron gjithashtu se qeveria nuk mendon se ai ishte i përfshirë në spiunazh, gjë që do ta bënte atë një rrezik fluturimi.

Por përjashtimi i skenarit më të keq- që McGonigal po ndante sekretet e SHBA me kontaktet e tij të huaja- mund të zgjasë disa muaj ose vite”, theksohet në shkrim.

Business Insider sjell edhe detaje mes lidhjeve të ngushta mes Charles McGonigal dhe Agron Nezës.

Duke u fokusuar sërish te dëshmia e ish-të dashurës së McGonigal, Allison Guerriero, Insider shkruan se në fakt FBI i nisi verifikimet që në vitin 2019, kur ish-e dashura e McGonigal, në gjendje të dehur dhe e zemëruar nga ndarja me të dashurin, i dërgoi një email drejtuesve të FBI.

“Tre burime që kanë njohuri për hetimin i thanë Insider se byroja kishte nisur verifikimet ndaj McGonigal që në nëntor të vitit 2019, kur Guerriero thotë se ajo shkroi një email të zemëruar për William Sweeney, shefit të McGonigal.

Sipas Guerrieros, ai email, të cilin Insider nuk ishte në gjendje ta merrte ose konfirmonte, i tregonte Sweeney-t që të verifikonte punën e McGonigal në Shqipëri dhe jetën e tij personale”.

Portali paralajmëron se çështja në fjalë është më e rëndë dhe më e madhe se e FBI-së.

“Një burim i brendshëm i Uashingtonit, me dekada përvojë në financat ndërkombëtare tha se çështja e ngritur nga çështja McGonigal është më e madhe se FBI. Problemi i dyerve rrotulluese, thanë ata, paraqet rreziqe të mëdha për të gjithë qeverinë federale.

“Ajo që McGonigal dhe të gjithë këta budallenjtë e tjerë nuk e kuptojnë është se për Deripaska-t e botës, kjo është si të blesh në supermarket. Ata po qeshin me faktin se sa lirë blihen amerikanët”,” thekson Business Insider.

9Kosova Sot Online)