Kurti: Serbia është në panik, duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë 10 kryetarë komunash të së njëjtës parti

  • E.k /
  • 10 February 2023 - 15:06
Kurti: Serbia është në panik, duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë 10 kryetarë komunash të së njëjtës parti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për kërkesën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përcjell “Kosova Sot Online”.

“Kurrë nuk ka qenë më e diskutueshme gjithandej, nëse ia kanë vlejtur komunat mbi baza etnike. Prandaj, Beogradi me aq nervozë kërkon asociacion të tyre. Si Zajednicë komunash pati nisur edhe Republika Serpska mbi Bosnjë e Hercegovinë. Jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por jam i bindur se mu këtë e do Serbia”, tha ai.

Sipas Kurtit, Serbia e do Asociacionin në Kosovë, sepse e pengon pluralizmi politik; sepse i do të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë t’i dirigjojë.

Kurti shtoi se Serbia është në panik.

“Kosova ka nevojë për më shumë demokraci, e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë është pluralizmi politik. Te komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizëm politik, mirëpo ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste, prandaj Serbia është në panik, duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë 10 kryetarë komunash të së njëjtës parti, që e dirigjojnë ata, ta shpallin një president zajednice e me atë ta shkelin ministrin tonë, të Qeverisë tonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb. Kjo është e padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme”, ka deklaruar Kurti.

(Kosova Sot Online)