Skandali McGonigal/ Rama porosit deputetët e tij: Largohuni nga seanca

  • E.K /
  • 13 February 2023 - 11:59
Skandali McGonigal/ Rama porosit deputetët e tij: Largohuni nga seanca

Ndërsa një ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje të gjithë kryetarëve të degëve të partisë në Tiranë që të mobilizohen për të qenë të pranishëm në çdo seancë në dyert e parlamentit, për të vijuar serinë e protestave, të etiketuara prej tij si revolucion, ka ardhur edhe reagimi i selisë rozë.

Mësohet se kreu i grupit parlamentar Taulant Balla u ka thënë deputetëve që të jenë prezent në parlament që në orën 16:30 për të mos pasur përplasje me protestuesit, të cilët do të mblidhen në 17:00 para parlamentit.

Burime nga grupi i PS thanë për SYRI TV se fillimisht do të nderohen viktimat e tërmetit tragjik në Turqi dhe në Siri.

Më pas, kur opozita të kërkojë që skandali Rama-McGonigal të jetë pjesë e diskutimeve, socialistët do të largohen kur opozita të bllokojë foltoren.

Duket se ky është një sinjal se socialistët nuk do lënë hapësira për të diskutuar skandalin më të rëndë në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve.

(Kosova Sot Online)