Ish-ministri i njohur ndiqet penalisht

  • A.P /
  • 21 February 2023 - 18:13
Ish-ministri i njohur ndiqet penalisht

Ish- ministri danez i Mbrojtjes Klaus Jört Frederiksen njoftoi sot se është ndjekur penalisht për nxjerrje të sekreteve shtetërore top-sekret.

Më herët, prokuroria tha se po ndiqte penalisht një person sipas një neni të kodit penal që përdoret rrallë, i cili, dënohet me burgim deri në 12 vjet për nxjerrje të sekreteve shtetërore. Por nuk u bë i ditur emri i të akuzuarit.

Frederiksen, i cili ishte ministër nga viti 2016 deri në vitin 2019, konfirmoi përmes Facebook se njoftimi i prokurorisë ka të bëjë me të, por mohoi çdo keqbërje. Sipas prokurorisë, i akuzuari “në disa raste ka zbuluar apo dorëzuar sekrete shtetërore”, të rëndësishme për sigurinë kombëtare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pas padisë së tij paraprake vitin e kaluar, Frederiksen tha për mediat lokale se akuzat bazoheshin në deklaratat që ai kishte bërë në lidhje me një marrëveshje të fshehtë mbikqyrjeje midis Danimarkës dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA (NSA). Në shtator, ish-kreu i shërbimit të fshehtë të huaj të Danimarkës u akuzua gjithashtu, për nxjerrje të informacioneve të klasifikuara. Frederiksen kishte imunitet parlamentar deri në nëntor, i cili nuk u rinovua pasi vendosi të mos kandidojë më në zgjedhjet e fundit parlamentare.

(Kosova Sot Online)