Vuçiq: A doni paqe apo t’i dërgoni fëmijët në luftë?

  • A.P /
  • 21 February 2023 - 23:02
Vuçiq: A doni paqe apo t’i dërgoni fëmijët në luftë?

Do të jetë gjithnjë e më e vështirë për Serbinë pasi situata në botë po komplikohet dhe se Perëndimi dëshiron ta marrë “kartën e Kosovës” nga duart e presidentit rus Vladimir Putin, ka theksuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Duke folur për kritikat për politikën në lidhje me Kosovën, Vuçiq pyeti “a doni paqe, apo t’i dërgoni fëmijët në luftë”.

“Doni paqe? Mos u ankoni se gjithçka në botë është tradhti”, tha Vuçiq nga Abu Dhabi.

Siç transmeton “N1”, Vuçiq vlerësoi se konflikti ukrainas-rus do të vazhdojë të përshkallëzohet, sepse në fjalimet e sotme të presidentëve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, Vladimir Putin dhe Joe Biden, askush nuk foli për paqen, por vetëm për fitoren ndaj palës tjetër.

Për Putinin, e vërteta është në anën e Rusisë, dhe për Biden, Ukraina nuk është vendi ku Rusia do të fitojë.

“Është e qartë se po shkojmë drejt ndezjes së mëtejshme të konfliktit”, tha Vuçiq nga Abu Dhabi, ku mori pjesë në panairin ndërkombëtar të armëve.

“Është e qartë se askush nuk dëshiron të pranojë një zgjidhje të mesme, por fitoren e tyre dhe humbjen e palës tjetër”, tha ai.

(Kosova Sot Online)