
Profesori që u rrah nga policia: Do ta ndjek në rrugë ligjore Abazoviçin

Për ngjarjen e ndodhur në kufi para disa ditësh, ka reaguar kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai ngriti dyshime mbi sjelljen e ish-këshilltarit të Ilir Metës në Presidencë dhe sot në Partinë e Lirisë, Petraq Milo për incidentin që ndodhi në 15 Janar në kufirin me Malin e Zi nga ku profesori i ekonomisë po kthehej për në Shqipëri.
Abazoviç tha se zyrtarët që i tejkalojnë kompetencat e tyre, duhet të ndëshkohen në mënyrë adekuate, por, shtoi se “ka edhe një anë tjetër të medaljes” duke theksuar se në video nuk shihet se veprimeve të policisë u ka paraprirë një kundërvajtje. “Nuk është se dikush e ka vënë në shënjestër dikë dhe e ka nxjerrë thjesht nga makina.
Dikush duhet të ketë bërë shkelje. Nuk janë respektuar rregullat e komunikacionit dhe radhët”, tha Abazoviç. Por a është normale që edhe nëse dikush bën një shkelje, ti vendosen duart në fyt dhe të nxirret zvarrë nga makina?
Përgjigjen për këtë duhet ta japë Dritan Abazoviç. Por çfarë mendon vetë protagonisti i kësaj dhune. “5pyetjet.al” kontaktoi zotin Milo, i cili nuk pranoi që të fliste gjatë duke u shprehur se do ta ndjekë deri në fund në rrugë ligjore. “Do ta ndjek në rrugë institucionale” tha Milo.
(Kosova Sot Online)