Aksident në kryeqytet, arrestohet shoferi i autobusit

  • A.P /
  • 28 February 2023 - 14:21
Aksident në kryeqytet, arrestohet shoferi i autobusit

Një ditë pas aksidentit të shumëfishtë të ndodhur në mes të Tiranës ku mbetën të lënduar 9 persona, policia ka arrestuar drejtuesin e autobusit Agron Xhafa.  Pas hetimeve, ka rezultuar se 62-vjeçari është shkaktari  i këtij aksidenti, teksa ai është shprehur se ka qenë i pavetëdijshëm në ato momente për shkak të problemeve shëndetësore.

Drejtuesi i urbanit të linjës së Unazës që u përfshi mesditën e së hënës në një aksident të shumëfishtë është arrestuar nga blutë e kryeqytetit me akuzën e veprës penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

62-vjeçari, Agron Xhafa para hetuesve ka deklaruar se nuk mban mend asgjë se çfarë ka ndodhur dhe se është i sëmurë me diabet dhe zemër. Nga hetimet u konstatua se 62- vjeçari ishte shkaktar i aksidentit ku u përfshinë 10 automjete dhe ku mbetën të lënduar 9 persona, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Por,  ky nuk është rasti i parë ku  urbanë të linjës së Unazës janë përfshirë në aksidente, ku dhe qytetarët jo pak herë kanë ngritur shqetësim, për shkak të mbipopullimit.

(Kosova Sot Online)