Menaxhimi i pandemisë, Vasili: Italia heton ish-Kryeministrin, ndërsa SPAK-u në Shqipëri i bën fresk Ramës!

  • E.K /
  • 03 March 2023 - 11:18
Menaxhimi i pandemisë, Vasili: Italia heton ish-Kryeministrin, ndërsa SPAK-u në Shqipëri i bën fresk Ramës!

Nënkryetari i Partisë së Lirisë Petrit Vasili ka reaguar lidhur menaxhimin e pandemisë së koronavirusit nga ana e qeverisë shqiptare.

Dhe ndërsa merr shembull nga Italia, ku ish-kryeministri Conte është vënë në hetim, ish-ministri i Shëndetësisë shigjeton drejtësinë e re shqiptare, që nuk ka reaguar për asnjë çast lidhur me këtë çështje në Shqipëri, për të nisur hetime për pasojat e pandemisë në vendin tonë.

“Ish-Kryeministri italian Conte dhe ish-Ministri i Shëndetësisë Speranza nën hetim për Pandeminë!

Akuzohen për keqmenaxhimin e Pandemisë dhe vdekjet e ndodhura.

Po të punonte një ditë të vetme SPAK-u në Shqipëri bazuar në ligj dhe tek interesat e popullit, Edi Rama do të ishte me kohë në burg për Pandeminë.

Edi Rama me gjithë palaçot e tij në qeveri menaxhuan në mënyrë kriminale, propagandistike dhe antishkencore Pandeminë e Covid, që mori jetën e mijëra njerëzve të lënë pa ndihmë shëndetësore, pa mbështetje financiare dhe pa asnjë përkrahje.

Mijëra mjekë dhe infermierë u lanë vetëm, të tradhëtuar, të shfrytëzuar e të keqperdorur nga Edi Rama dhe sharlatanët përqark tij.

SPAK-u rëndohet përditë me rreshtimin e tij në krah të së keqes dhe kryeministrit, si mishërim i kësaj të keqeje.

Çfarë mjerimi kjo reformë në drejtësi dhe sa të mjerë ata që me duar të pista duatrokasin akoma për të”, thekson nënkryetari i PL-së, Petrit Vasili.

(Kosova Sot Online)