Ja çfarë po ndodh me hetimin e Trump

  • A.P /
  • 22 March 2023 - 19:28
Ja çfarë po ndodh me hetimin e Trump

Juria e Manhatanit nuk është mbledhur të mërkurën për aktakuzën ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump. Çështja është në duart e Prokurorit Alvin Bragg ndërkohë që miliarderi ka deklaruar qëllimin e tij për të qenë kandidat në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Prokuroria e Manhatanit pritet të vendosë nëse do të ngrejë akuza kundër ish-Presidentit Dondal Trump, ndërkohë që Juria nuk do të mblidhet as këtë të mërkurë.

Teksa Trump ka shprehur angazhimin e tij për zgjedhjet paraprake republikane të vitit 2024, hetimet penale ndaj tij vijonjnë në Nju Jork, Uashington dhe Atlanta.

Seanca ishte parashikuar të mbahej këtë mesjavë e të gjithë sytë tashmë janë tek Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, i cili po heton akuzat e mundshme ndaj Trumpit për pagesën e shumëpërdolur që thuhet se ai bëri ndaj yllit pornostar, Stormy Daniels në vlerën e 130 mijë dollarëve.


Pagesa u bë nga ish-avokati i Trump, Michael Cohen, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, për të blerë heshtjen e aktores, lidhur me marrëdhënien me zotin Trump.

Bragg, nuk ka dhënë më tepër detaje për hetimin.

Një tjetër pengesë për Trump janë komunikimet midis Daniels dhe avokatit të ish presidentit, të cilat i janë dorëzuar zyrës së prokurorit të Manhatanit.

Këto biseda sipas medias, datojnë në 2018 dhe prania e tyre në dosje rrit mundësinë që avokati të mënjanohej nga mbrojtja e Trump-it në këtë çështje.

Ish-presidenti Trump është në fokus të një hetimi të udhëhequr nga këshilltari special Jack Smith mbi trajtimin e dokumenteve të klasifikuara, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Burime të njohura me çështjen i thanë CNN se departamenti i drejtësisë argumentoi se kishte prova që Trump mund të kishte kryer një krim.

Mes pasigurisë se si do të përfundojë hetimi shumëvjeçar, disa këshilltarë të ish-presidentit shprehën zhgënjimin për mungesën e informacionit rreth një aktakuze të mundshme dhe ndërlikimet logjistike që do të vinin në përballjen e Trump me trupën gjyqësore në Nju Jork.

Avokatët e Trump po kërkojnë gjithashtu të parandalojnë një hetim ndaj ish-presidentit në Gjeorgji lidhur me përpjekjet për të ndikuar zgjedhjet e vitit 2020 atje.

(Kosova Sot Online)