Vijojnë protestat në Paris

  • A.P /
  • 23 March 2023 - 19:07
Vijojnë protestat në Paris

Kanë vijuar edhe ditën e sotme përplasjet mes protestuesve dhe policisë në Bulevardin Bonne Nouvelle në Paris.

“Situata është shumë e tensionuar. Nuk prisnim që të dilte nga kontrolli kaq shpejt,” raporton një gazetare nga vendi i ngjarjes.

Të paktën 800 mijë persona janë mbledhur në kryeqytetin e Francës, numri më i lartë deri tani sipas raportimeve. Ndërkohë, ministria e Brendshme e vendit nuk ka publikuar ende shifra.

Kanali televiziv BFMTV raportoi sot se të paktën 350-400 persona, të gjithë të veshur me të zeza, me flakadanë në duar kanë sulmuar bizneset në zonë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Nga ana tjetër, policia është duke u përgjigjur me gaz lotsjellës, megjithatë turma mesa duket është e pamenaxhueshme.

Ndërkohë, larg nga protestat nëpër Francë, presidenti Emmanuel Macron u është bashkuar liderëve të Bashkimit Europian në Bruksel për samitin e marsit.


(Kosova Sot Online)