Stano: Nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së, Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë dispozitat

  • A.P /
  • 26 March 2023 - 10:52
Stano: Nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së, Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë dispozitat

Zëdhënësi kryesor për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Europian, Peter Stano ka deklaruar se në ditët në vijim do të inicohet procesi për hapat e parë të zbatimit,  transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Në ditët në vijim, tani me miratimin nga Këshilli Europian (= Udhëheqësit e të 27 Shteteve Anëtare) institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me Palët. Siç tha Përfaqësuesi i Lartë të enjten: ‘Unë do t’i këshilloja ata ta bëjnë punën e tyre'”, tha Stano.

Siç janë marrë vesh palët, dispozitat e Marrëveshjes (përfshirë Aneksin) tani do të inkorporohen në Kapitullin 35 për Serbinë dhe në agjendën e Grupit Special për Normalizimin për Kosovën. 

“Kjo do të thotë se palët do të jenë të detyruara kontraktualisht t’i zbatojnë dispozitat nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së. Moszbatimi do të thotë ta braktisësh rrugën drejt BE-së”, tha Stano.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së pë Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell i ka informuar liderët europianë për bisedimet e Ohrit dhe ka theksuar se Kosova dhe Serbia tani duhet ta përmbushin atë për të cilën kanë rënë dakord.

Ai gjithashtu ka thënë se çdo spekulim për nënshkrimin apo vlefshmërinë e Marrëveshjes është i kotë.

“Historia e dialogut ka dëshmuar se rëndësia e marrëveshjes matet nga niveli i zbatimit të saj, jo nënshkrimi. Ai ishte shumë i qartë se marrëveshja është rënë dakord, duhet zbatuar dhe nuk ka vend për zgjedhje”, tha Stano.

“Reputacioni ndërkombëtar dhe besueshmëria e palëve është gjithashtu në rrezik këtu”, theksoi Stano, duke nënvizuar se “në mënyrë që të shihen si një partner i besueshëm i BE-së, palët duhet ta zbatojnë atë që kanë premtuar”.

(Kosova Sot Online)