Ja çfarë tha dëshmitari në seancën kundër Pjetër Shalës

  • A.P /
  • 27 March 2023 - 16:10
Ja çfarë tha dëshmitari në seancën kundër Pjetër Shalës

Me marrjen në pyetje të dëshmitarit të mbrojtur të prokurorisë, ka vazhduar seanca në Speciale ndaj të akuzuarit Pjetër Shala, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kryetarja e trupit gjykues, kërkoi që sa më pak të ketë seanca të mbyllura, meqë edhe materialet janë mjaft të redaktuara.

Më pas, prokurori vazhdoi me disa pyetje për dëshmitarin e mbrojtur. Duke iu drejtuar dëshmitarit, prokurori ia rikujtoi se ai fillimisht ka folur  për gjendjen e babait  kur është kthyer në vendin ku po qëndronte  familja.

Prokurori rikujtoi e dëshmitari ka thënë se babai i tij, kur u kthye, kishte edhe disa lëndime  në kokë, nuk ishte larë, nuk ishte i pastër, kishte të djegura në kraharor.

“A ju kujtohet ndonjë hollësi tjetër për kushtet e babait kur u kthye?”, pyeti prokurori.

“Kishte gjak të tharë në trup”, tha dëshmitari në përgjigjen e tij.

Prokurori e pyeti rreth asaj se çfarë u ka thënë babai, për mbajtjen e tij rreth kushteve, ushqimin e  fjetjen.

“Po, babai tha se ka qenë në dhomë me tri dritare vetëm hekura, pa xhama e dhoma ka qenë beton. Disa në beton e disa në sfungjerë, pa pastrim, të gjithë aty kanë qëndruar”, tha ai.

Në këtë pikë, prokuroria përfundoi marrjen në pyetje të dëshmitarit, duke bërë qe kryetarja e trupit gjykues, t’ia parashtrojë disa pyetje.

Ajo ia rikujtoi dëshmitarit se më herët ka thënë se kur ishte një person me një armë që shkatërronte ndërtesa.  “Më vonë keni dëgjuar se ishte Pjetër Shala, por  atë ditë, e keni parë vetë këtë person?”, pyeti gjykatësja.

“Po e pash”, tha dëshmitari.

“E pas kaq shumë vitesh, jeni në gjendje ta përshkruani si ishte?”, pyeti gjykatësja.

“Ai me minahedhës ka qenë, personi i parë afër shtëpisë”, tha dëshmitari, por pa e përshkruar se si dukej ai person.

“Na përshkruani si ishte personi?”, e pyeti gjyqtarja

“E kam parë vetëm pak se isha pas gardhi, e dorën mbi gardh e kishte kurse arma ishte e gatshme për qitje”, tha dëshmitari.

Më pas, fjalën e mori Mbrojtësi i Viktimave i cili kërkoi të sqarojë se kohën se sa ka punuar babai i dëshmitarit si polic në ish Jugosllavi.

Dëshmitari tha se ka punuar për 35 vjet, deri në vitin 1997.

“Ju pyeta sepse në transkript shkruante  se ishte nga viti 1990 deri në vitin 1997. Pra jo vetëm shtatë vjet por tërë jetën’, tha Mbrojtësi i Viktimave. 


(Kosova Sot Online)