
Spanja ruan pozicionin e saj si mosnjohëse e deklaratës së pavarësisë së Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës kanë thënë se Spanja vazhdon të mbetet në qëndrimin e saj për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Spanja ruan pozicionin e saj si mosnjohëse e deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në 2008 dhe mbështet fuqimisht një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në kuadrin e Dialogut të Lehtësuar nga BE”, ka thënë Elena Aljarilla Cortezón nga MPJ e Spanjës.
Sa i përket arritjes së marrëveshjes në Ohër, Cortezon ka thënë se Spanja mirëpret progresin e bërë për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe vlerëson dhe mbështet përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell dhe emisarit special, Miroslav Lajcak.
Në përgjigjen e dhënë zyrtarja e Ministrisë së Jashtme të Spanjës thekson se implementimi i marrëveshjeve në Ohër, bashkë me marrëveshjet paraprake është thelbësor dhe një mundësi që s’duhet humbur.
“Në këtë drejtim, Spanja mirëpret marrëveshjet e fundit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe njeh dhe mbështet përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Borrell dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak. Zbatimi i këtyre marrëveshjeve, krahas marrëveshjeve të mëparshme, tashmë është thelbësore, pasi kjo është një mundësi që nuk duhet humbu”, ka përfunduar Cortezon.
Njëjtë sikurse Spanja, qëndrimin për pavarsinë e Kosovës s’e ka ndërmend ta ndërrojë as Greqia. Presidentja e Greqisë, Katerina Sakelaropoulou, një herë nga Athina e më pas edhe nga vizita zyrtare në Beograd e ka theksuar se Greqia s’e njeh pavarësinë e Kosovës.
(Kosova Sot Online)