Kush e sulmoi imamin nga Fushë Kosova?

  • A.P /
  • 02 April 2023 - 09:17
Kush e sulmoi imamin nga Fushë Kosova?

Raportohet se mbrëmë pasi ka përfunduar namazi i Teravive në Miradi të Epërme, është sulmuar fizikisht nga disa persona të panjohur në dalje të fshatit, imami nga Fushë Kosova, Ali Ismaili, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Unë nga pozita e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës dhe nga pozita e Imamit të Xhamisë në Miradi të Epërme, nuk i kam borxh askujt dhe gjithmonë punën time e kam kryer dhe do t’a kryej me ndershmëri”, shkruan ai.

Postimi i plotë i tij:

Para disa minutave, pasi përfundoi namazi i Teravive në Miradi të Epërme, aty ku jam edhe Imam i xhamisë në dalje të fshatit u sulmova fizikisht nga disa persona të panjohur, nga një veturë pikap pa tabela. Siç duket kërcënimet e mëhershme nuk paskan marrë fund dhe përveç kërcënimeve, tani dikush ka vendosur që t’a konkretizojnë edhe me sulme fizike.

Unë nga pozita e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës dhe nga pozita e Imamit të Xhamisë në Miradi të Epërme, nuk i kam borgj askujt dhe gjithmonë punën time e kam kryer dhe do t’a kryej me ndershmëri dhe përgjegjësi të plotë. Sulmet dhe kërcënimet e tilla nuk më frikësojnë dhe nuk më ndalin në kryerjen e obligimeve të mia karshi qytetarëve.

I bëj thirrje organeve të rendit që këtë problem t’a hetojnë dhe t’a parandalojnë institucionalisht, sepse sot nuk u realizua, por nesër mund të ndodhë diçka edhe më e keqe!


(Kosova Sot Online)