Berisha: Në 14 maj jemi në një mision të madh

  • A.P /
  • 04 April 2023 - 18:40
Berisha: Në 14 maj jemi në një mision të madh

"I gjithë ky entuziazëm, i gjithë ky shpërthim i zjarrtë, optimizmi që ju e shifni në mbarë qytetet e vendit, në mbarë Shqipërinë, ka një arsye tjetër, shumë më të madhe se sa zgjedhjet lokale. Demokratet dhe demokratët, mbështetësit dhe simpatizantët e popullit opozitar e kanë të qartë se 14 maji, është një ditë që ndan historinë, është një ditë e një rëndësie historike për Hasin dhe Shqipërisë. 

Është e vërtetë që në 14 maj zgjedhim qeveritarët vendorë, por në 14 maj jemi në një mision të madh, një mision identik me atë që ishim në vitin 1992, për tu ndarë nga monizmi i dytë, regjimi më i keq që shqiptarët kanë njohur pas Enver Hoxhës në historinë e tyre, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Hasi dhe hasjanët e kanë të freskët dhe nuk e harrojnë kurrë vuajtjet, kalvarin e monizmit të parë që bazohej në doktrinën marksiste-leliniste, kasaphanën e luftës së klasave, hiperkolektivizmin e çmendur. Por monizmat nuk janë vetëm ideologjik. Historia e njerëzimit ka faktuar se monizmat janë katastrofat më të mëdha që kombet përjetojnë në historinë e tyre.

Sot pas 32 vitesh, një njeri, një lloj si në vitin 1990, ka në dorë të gjitha pushtetet, ka në dorë çdo gjë në këtë vend. Kontrollon çdo pushtet. Për këtë njeri, kushtetuta nuk ekziston, ligjet nuk ekzistojnë, normat morale nuk ekzistojnë. Ky njeri sillet ndaj shqiptarëve, ndaj hasjanëve si një armik i egër i tyre, regjimi i tij është regjimi i një pushtimi të brendshëm".

(Kosova Sot Online)